Gjykata Europiane e Auditit njoftoi nisjen e një hetimi mbi përdorimin e fondeve të Bashkimit Europian në fushën e sundimit të ligjit në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë.

“Sundimi i ligjit është një kusht i panegociueshëm për anëtarësimin në BE. Vendet e Ballkanit Perëndimor ende përballen me fenomene shqetësuese korrupsioni dhe se si funksionojnë institucionet publike, që janë urat e anëtarësimit”, thuhet në deklaratën e Gjykatës.

Audituesit thonë se do të mbikëqyrin nëse BE ka ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor për të arritur progres në këto fusha problematika. Synimi i auditimit është që të përcaktojë se sa efikase kanë qenë masat dhe ndihmat financiare të BE-së për forcimin e sundimit të ligjit në katër vendet kandidate (Shqipëri, Serbi, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut) dhe në dy vende kandidate potenciale (Kosova dhe Bosnje-Hercegovina).

“Në veçanti auditimi do të përqëndrohet tek gjetjet nëse mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit është dhënë në formën e duhur, është përdorur në fushat e duhura dhe nëse ka rezultuar në përmirësimi të prekshme e në linjë me standardet e BE-së”, vijon deklarata e Gjykatës Europiane të Audituesve.

Procesi sapo ka nisur dhe parashikohet që ai të përfundojë në fund të këtij viti. Si pjesë e këtij misioni pritet që në Tiranë të zbarkojnë audituesit e kësaj gjykate për të mbikëqyrur shpenzimet e fondeve që BE ka dhënë në kuadër të reformës në drejtësi.