Një vatër e re e Covid-19 pranë Melburnit duket se e ka vënë që tani në dyshim Çmimin e Madh të Australisë në Formula 1. Gara është programuar për të dielën e 21 marsit dhe hap kalendarin me një numër rekord garash për vitin 2021, plot 23.

Lajmi nuk ishte aq i papritur, duke parë që për të njëjtën arsye është spostuar me tri javë (nga mesi i janarit më 8 shkurt) fillimi i “Australian Open”, kompeticioni i parë madhor i sezonit të tenisit ndërkombëtar, që gjithashtu zhvillohet në Melburn. Pengesa më e madhe për t’u kaluar ka të bëjë me masat shtrënguese që janë aktualisht në fuqi në Australi, pasi ato parashikojnë një karantinë dyjavore të detyruar për ata që hyjnë në këtë vend.

Nga një garë në Melburn.

Ky rregull do ta komplikonte jo pak sesionin e vetëm të provave para nisjes së kampionatit në Formula 1. Organizatorët janë vënë në siklet, duke parë dyshimet për zhvillimin e garës në cirkuitin e “Albert Park”. Nëse gara zhvillohet, ata duhet të nisin punën që në fund të janarit. Koha është e kufizuar. Kujtojmë që në 2020-ën gara e Australisë u anulua pak orë para provave të lira të së premtes, për shkak se rezultuan pozitivë me Covid-19 dy pjesëtarë të McLaren.

Nëse gara e Australisë anulohet apo shtyhet, nisja e Botërorit shtyhet vetëm me një javë, në Çmimin e Madh të Bahreinit, në kalendar të dielën e 28 marsit. Në këtë rast, spostimi i garës inaugurale nga Melburni në Bahrein do të ndryshonte planet sa u takon testeve para kampionatit.