Qeveria franceze ka vendosur të përshpejtojë dhe të thjeshtësojë procedurat për nënshtetësi për rreth 16 mijë punëtorë të huaj, si falënderim për ndihmën që i kanë dhënë vendit gjatë periudhës së gjatë dhe të vështirë të pandemisë nga COVID-19.

Bëhet fjalë për kategori punësh të ndryshme, kryesisht në terren, si infermierë, sanitarë, punonjës të sigurisë, kujdestarë të moshuarve. Për këto profile procedura e nënshtetësisë u ul nga 5 në 2 vite, me thjeshtësim të kritereve burokratike për të aplikuar. Si pasojë, nga 16 mijë kërkesat, 12 mijë u pranuan.

“Këto punëtorë iu përgjigjën thirrjeve të kombit, pra është normale që kombi të marrë përgjegjësi për to, dhe t’i falënderojë”, deklaroi ministrja për Nënshtetësinë, Marlene Schiappa.

Kjo nuk është iniciativa e parë e qeverisë franceze ndaj këtyre kategorive të sakrifikuara gjatë emergjencës sanitare. Në prillin e vitit 2020, operatorët sanitarë në spitale u shpërblyen me rreth 1500 euro bonus.