Grupi Suning është zyrtarisht në krizë financiare dhe kjo situatë shkakton frikë te Interi. Pas rrogave të prapambetura dhe zërave për shitjen e klubit, tashmë pasiguritë për të ardhmen janë konkretizuar. Nëpërmjet një mesazhi video nga Kina, pronari Zhang Jindong zbuloi planin për të shpëtuar kompaninë.

“Duhet të përqendrohemi te objektivi ynë kryesorë dhe ta rindërtojmë betejën tonë sipas këtij plani. Do të përkushtohemi deri në detaj në sektorin e shitjeve dhe të mbyllim ose të minimizojmë aktivitetet e parëndësishme për industrinë tonë, të cilat nuk sjellin përfitime”, tha Zhang.

Interi, që është nxjerrë në shitje prej muajsh, është pikërisht një prej bizneseve të parëndësishëm, për të cilat pronari zikaltër u shpreh qartë. Pas sinjaleve të vazhdueshme të krizës, duke përfshirë këtu edhe merkaton e janarit, tashmë situata është bërë edhe më shqetësuese.

Mesazhi ishte i qartë: Tashmë klubi do të shitet, pavarësisht se fondi Bc Partner ofron më pak se një miliard euro, që pretendohen nga pronarët kinezë të Interit. Në të kundërt, klubit i nevojitet një tjetër hua me vlerë 150-200 milionë euro për të paguar borxhet e prapambetura deri më datë 31 mars dhe për të marrë “dritën jeshile” nga UEFA për pjesëmarrjen në kupat e Europës gjatë edicionit të ardhshëm.