Nga Dritan Hila

Nuk dihet se çfarë ka menduar Ilir Meta kur ka shmangur Luan Ramën nga përfaqësimi i Vlorës, por është një lëvizje që do ta paguajë në elektorat.

Shmangja e emrave të listës në momentin e fundit, në rradhë të parë tregon nervozizëm dhe pasiguri, ç’ka është e lexueshme lehtë. Ndërrimi i lojtarëve në minutat e fundit të ndeshjes tregon dëshpërim. Heqja e sulmuesit kryesor dhe futja e një emri të panjohur nga stoli tregon se trajneri do të ruajë një humbje të pranueshme. Këtë e di çdo tifoz futbolli.

Nga këndvështrimi strategjik ishte një hamendësim afër reales se Meta në bashkëpunim me Leskajn të pilotonin votat që nuk prodhojnë deputet për PD-në drejt LSI-së në mënyrë që Luan Rama si numri një i saj të dilte deputet. Kjo pasi LSI-ja pas shizmave lokale e ka të vështirë të bëjë numrat, ama me një ndihmë të vogël nga PD-ja mund të kompensonte rrjedhjet dhe kapte kufirin mbi tetë mijë vota, sa është kufiri i parashikueshëm që do duhet për një deputet në Vlorë. Por të orientosh votuesin e PD-së që jo vetëm t’i japë votën LSI-së, por edhe numrit dy të saj, është ushtrim i vështirë të bëhet edhe në tavolinë.

Pengesë tjetër është emri.

E vërteta është që partitë si ajo e Metës kanë lidhje direkte me kryetarin e partisë. Ndaj edhe Meta ka zbritur vetë në terren që të tregojë se ai është aty në krye të LSI-së. Por votuesit duan që edhe emri i kandidatit të thotë diçka, të paktën lokalisht. Luan Rama vërtet është dibran, por ka një lidhje historike me të majtën, dhe jo fort të ngushtë me të djathtën. Ka ruajtur një profil jo agresiv dhe emri i tij ju thotë diçka vlonjatëve. Ai ka 30 vite në politikë dhe nuk është shquar as si lokalist dhe as si i korruptuar.

Edhe Çim Selami apo Shezai Rokaj që kanë qenë më parë, mbase nuk ju thoshte gjë shqiptarëve, por për vlonjatët thoshte diçka dhe emri i tyre i shtonte valencë partisë që përfaqësonin.

Por të heqësh Luan Ramën për hir të një emri të panjohur, sepse kjo mund të mos thotë gjë por fisi i saj të sjell ca vota, atëherë llogaritë janë bërë gabim.

Gjithsesi mbetet të vlerësohet sesa do ndikojë sharmi i Tit Vasilit i cili ka marrë përsipër sponsorizimin mediatik të numrave pasardhës të Luan Ramës. Deri tani nuk ka ndodhur që vlonjatët ta japin votën për gallatë. Megjithatë ça nuk bën vaki në Vlorë./dritare.net