Vizita e liderëve të Bashkimit Europian në Turqi u shoqërua me një ortek polemikash. Kjo për shkak të një incidenti me protokollin, i cili në rrjete sociale është bërë viral duke nxitur kritika dhe akuza për seksizëm

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, u trajtua si një prezencë margjinale për të cilën as edhe një karrige nuk ishtë parashikuar. Kjo ndodhi të martën në Ankara gjatë një takimi me Presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan.

“Gratë janë nënat tona”. Presidenti turk pëlqen të përsërisë këtë shprehje për të nënvizuar sa i respekton dhe i konsideron ato. Por padyshim që ato duhet të dinë se si të qëndrojnë në vendin e tyre. Të gjitha. Edhe Ursula von der Leyen, e cila mban postin më të lartë në Bashkimin Europian.

Askush, megjithatë, duket se nuk ka protestuar dje. Presidentja e Komisionit të BE kishte mbërritur në Turqi së bashku me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, por kur të tre hynë në një dhomë të dekoruar mjaft bukur në pallatin presidencial në Ankara ishin vetëm dy karrige. Burrat u ulën ndërsa Von der Leyen, qartë e zënë ngushtë, i shikonte me siklet. Në fund, udhëheqësja europiane tundi dorën e djathtë sikur të thoshte “mos u shqetësoni” dhe u ul, duke murmuritur, në një divan ngjyrë bezhë rreth tre metra distancë, përballë ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, i cili, megjithatë, është shumë poshtë saj në protokollin diplomatik.

 

Episodi i pazakontë, i bërë i pavdekshëm nga fotografët dhe videoja zyrtare e takimit, shpërtheu menjëherë në rrjetet sociale me hashtagun #sofagate.

Pse Michel nuk e ngriti zërin? Pse nuk i ofroi Von der Leyen vendin e tij? Pse e pranuan situatën pa reaguar? Këto janë pyetjet që përdoruesit e internetit po bëjnë nëpër rrjetet sociale. Zëdhënësi i Komisionit Europian, Eric Mamer, shpjegoi se Von der Leyen ishte “befasuar shumë, siç shihet në video”, nga mungesa e një karrigeje për të, por “ajo zgjodhi të përqendrohej në thelbin e problemeve dhe jo në formën”. Ndërsa ekipi i Michel, sipas asaj që shkruan ‘Politico’, argumentoi se protokolli ishte respektuar sepse ishin Erdogan dhe presidenti i Këshillit Europian ata që duhej të takoheshin zyrtarisht. Por, në të njëjtën faqe, burime të tjera raportojnë se një episod i tillë është i jashtëzakonshëm: të tre presidentët duhet të kishin marrë të njëjtin trajtim.

Eurodeputetja holandeze, Sophie in’t Veld, vuri në dukje në Twitter se në takimet e mëparshme midis udhëheqësit turk dhe dy presidentëve evropianë, të tre kishin vende të barabarta. Dhe grupi i PPE në Parlamentin Europian reagoi në lidhje me incidentin: “Le t’i bëjmë gjërat e qarta. Dikush duhet të turpërohet nga mungesa e një vendi të përshtatshëm për Von der Leyen në pallatin e Erdoganit. BE ka sinjalizuar hapjen e dialogut, por ne jemi të vendosur në vlerat tona. Gratë meritojnë të njëjtën njohje si kolegët e tyre meshkuj”.

Gafa diplomatike ndodhi afër daljes së Turqisë nga Konventa e Stambollit kundër dhunës ndaj grave. Një vendim i kritikuar nga Bashkimi Europian dhe e gjithë bota.