Ashtu si sezonin e kaluar, edhe këtë sezon të ri televiziv dy motrat e njohura të ekranit, Luana dhe Marina Vjollca, janë “rivale” me njëra-tjetrën. Që të dyja do t’i shohim në të njëjtën kohë në televizion me emisionet e tyre, përkatësisht “Shiko Kush Luan” dhe “Klanifornia”.

Dy emisionet transmetohen çdo të shtunë në orën 21:00 dhe kjo duket sikur është gara e motrave Vjollca në ekran.

“Shiko kush Luan” i cili shfaqet në Top Channel u rikthye në ekran këtë të shtunë, ku moderatorja së bashku me dy kapitenët, Florjan Binaj dhe Rezart Veleshnja, pritën në studion e madhe shumë të ftuar të veçantë.

Lori Hoxha, Mozzik, Kida, Emina Cunmulaj, Adrola Dushi, Xhesika Berberi, Arbër Hajdari, Elita 5 dhe Elita Ziberi ishin të ftuarit e kësaj të shtune, të cilët e argëtuan publikun me muzikën, lojërat e shumta që bënë.

Ndërkohë nga ana tjetër, “Klanifornia” e cila ka nisur sezonin e ri prej disa javësh, tërheq publikun me humorin dhe spektaklin e saj.

Por cili emisioni u ndjek më shumë? Cila nga motrat fitoi garën?

Luana Vjollca është ajo që ka triumfuar këtë të shtunë me emisionin e saj “Shiko Kush Luan”. Në kanalin e “Youtube” puntata e parë ka marrë mbi 590 mijë klikime, ndërsa ajo e “Klanifornisë” mbi 67 mijë klikime.

“Shiko Kush Luan” mbetet një nga programet më të preferuara të publikut, pasi vjen me argëtim, lojëra, të ftuar të veçantë e shumë surpriza të reja, që do të gozhdojnë publikun përpara ekranit këtë sezon.