Shtyhet seanca gjyqësore në GJKKO për ish-ministrin e Brendshëm Fatmir Mediu.

Gazetarja Klodiana Lala bën me dije për BalkanWeb se avokatët e Mediut kërkuan pushimin e çështjes ndaj tij, me argumentin se është pushuar çështja penale.

Kujtojmë se SPAK njoftoi se ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme dosjen penale ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu në lidhje me tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec, ku nga shpërthimi në punishten e demontimit të armëve gjetën vdekjen 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Posaçme ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu akuzohet për dy akuza; atë të shpërdorimit të detyrës dhe shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me subjekt ushtarakë, kuadër komandues.

Fatmir Mediu është marrë dhe më herët i pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme, por në vitin 2009 kur dosja e tij penale po gjykohej në Gjykatën e Lartë për shkak se ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ligji i kohës parashikonte se ndjekja penale apo gjykimi nuk mund të vazhdonte dhe vendosi ta pushonte çështjen.

Me krijimin e SPAK ishte Zamira Durda, nëna e një fëmije të mitur që gjeti vdekjen në Gërdec, e cila kërkoi rihetimin e çështjes dhe gjykimin e Mediut, pasi sipas saj për tragjedinë e Gërdecit nuk është bërë drejtësi. Prokuroria e Posaçme duke mos qenë kompetente në krye të herës për të hetuar këtë çështjes, përderisa kishte një vendim të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë iu drejtua Gjykatës dhe shkalla e parë e rrëzoi prokurorinë për rihapjen e kësaj dosje.

Ishte Apeli i Posaçëm i cili i hapi dritën jeshile hetimit të dosjes Gërdeci dhe tashmë Prokuroria e Posaçme e ka përfunduar hetimin sa i përket ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe e dorëzoi në Gjykatë dosjen penale duke argumentuar se mburoja e imunitetit kishte rënë dhe nuk kishte asnjë pengesë që Mediu të gjykohet për dy vepra penale.