30 dhjetor 1865 (Bombai) – 18 janar 1936 (Londër)
“Gjeniu Kipling është njeriu më i plotësuar që kam njohur ndonjëherë.” – HENRY JAMES
*
Shkrimtar i famshëm britanik, tregimtar, poet dhe romancier, i njohur kryesisht me rrëfimet e tij për fëmijë, si edhe për poezitë kushtuar ushtarëve britanikë në Indi.
Gjashtë vjeçar u shpërngul nga India koloniale në Britani, ku kreu studimet e veta në të gjitha ciklet, gjersa u diplomua së fundi në një shkollë ushtarake.
U kthye përsëri në Indi (1882), ku punoi shtatë vjet si gazetar. Familja e tij i takonte shtresës së lartë të shoqërisë koloniale, kështu që iu dha mundësia të vëzhgonte gjithë prizmet e jetës shoqërore në Indinë e kohës.
Ajo çka përftoi kësaj kohe, kryesisht kujtimet që mori me vete kur u kthye më 1889 në Angli, mjaftuan ta bëjnë të famshëm, kur ngjizi me to rrëfime të mrekullueshme në prozën e shkurtër dhe në poezi. U bë shumë shpejt i famshëm, aq sa krahasohej me lordin Bajron për famën e tij të menjëhershme.
Pasi u martua me amerikane, bijë të një botuesi të njohur, jetoi për katër vite në Amerikë (92-96) por nuk iu përshtat jetesës amerikane dhe u kthye në Angli. Sa jetoi në Amerikë shkroi vepra të rëndësishme, si “Kapitenët heroikë” dhe “Kim”, nga më të mirat e tij, duke përfshirë edhe kryeveprën dyvëllimëshe “Librat e xhunglës”, me heroin e vogël Mogli, i cili u rrit brenda xhinglës nga një familje ujqërish, histori që mahniti ngado botën e fëmijëve, aventura që u transmetuan më vonë me shumë sukses në ekranin e madh.
Më 1907, 42 vjeçar, u nderua me Çmimin “Nobel” dhe u bë shkrimtari i parë anglofon që e fitoi, si edhe nobelisti më i ri botërisht deri më sot.
===========================================
Tre vjet pasi fitoi “Nobelin”, Kipling botoi poezinë “Nëqoftëse…”, me këshillat e një prindi për të birin. Ky krijim është kthyer tashmë në një simbol të poezisë së tij. Zor se ekziston një vjershë tjetër e një autori, sado i famshëm, që të ketë mëshiruar në vetvete të gjitha vlerat më të qenësishme dhe përfaqësuese të poezisë së tij. Njëkohësisht asnjë vjershë tjetër e veçantë e një poeti nuk është bërë kaq e famshme, se sa kjo e Kiplingut. Këtë vjershë, me detaje thellësisht njerëzore, Kiplingu sikur e nxori nga e përbrendshmja e thellë. Ja sepse… Më 1915 poeti humbi birin e vetëm, Xhon (1897-1915), në fushëbetejat e Luftës së Parë Botërore dhe pak më vonë i përkushtoi vjershën “My Boy Jack”. Pak kohë më parë kishte humbur edhe bijën, shtatëvjeçaren Xhozefin (1892-1899), ndërsa Xhejsi, bija e fundit, ishte e vetmja nga fëmijët që përjetoi vdekjen e babait, Kiplingut të famshëm dhen të përvuajtur, më 18 janar 1936, në pragun e një lufte tjetër botërore, ku do të flijoheshin miliona bij dhe bija nënash nga e gjithë bota. Nuk mund të ekzistonte tjetër baba më i përshtatshëm, se sa ky poet i përbotshëm, për të këshilluar të birin.
JOSEPH RUDYARD KIPLING
NEQOFTESE…
(Nëse mundesh…)
Nëse mund ta mbash kokën lart kur të gjithë rreth teje
vetveten humbasin druajtshëm dhe për këtë e vënë me ty,
të kesh besim në vete, kur të gjithë për ty dyshojnë
por edhe t’i jesh indiferent mosbesimit që ata kanë,
nëse mund të durosh duke mos u lodhur kurrë së prituri
ose i pleksur brenda rrenash, larg të qëndrosh, në mundesh,
nga gënjeshtra
dhe nëse bëhesh i urryer, të mos i japësh vend urrejtjes tënde
por as i mirë të dukesh dhe aq mençurisht të flasësh,
nëse mund të ëndërrosh pa iu bërë skllav
ëndrrës,
nëse mund të meditosh pa e bërë qëllim mendimin,
nëse mund, kur do të takosh në ag Fitoren
ose t’egrën Furtunë,
t’u sillesh njësoj këtyre dy mashtruesve,
nëse mund të durosh të vërtetën që the vetë,
shtrembëruar nga zuzarët, për t’u bërë kurth për njerëzit idiotë
ose nëse gjithçka të ka ofruar jeta i shikon përpara teje
mbeturina
dhe pasi të përkulesh, të fillosh sërish ndërtimin me ca
vegla të këqija,
nëse mund të grumbullosh bashkë ç’të mira ke nga përfitimet
dhe të guxosh me të fundmin zarr t’i luash të gjitha
dhe t’i humbësh dhe prapë nga e para të ri zësh fillimin
dhe të mos pëshpëritësh kurrë një fjalë për gjithë ato që humbe
dhe nëse mund të detyrosh me forcë zemrën, nervat edhe
mendjen tënde
të punojnë për ty edhe nëse i thyen mundi
dhe ta durosh ti vetë më parë këtë edhe kur ndjen se asgjë tjetër
s’të ka mbetur
përveç dëshirës që u bërtet atyre “Mbajuni!”,
nëse mund t’u flasësh njerëzve dhe moralisht të mbetesh i paprekur
ose kur të gjendesh afër mbretërve mos të kapërcesh kallamin
dhe kur as miqtë, por as armiqtë nuk do të mundin të të dhembin,
çdonjërin saktë në do peshosh – asnjë të preferuar –
nëse do mund të mbushësh shend çdo çast të dëshpëruar ore
dhe të bësh vlerë të gjashtëdhjetë sekondat e minutit
atëherë do të jetë e gjithë Bota jotja, me gjithçka përmban
në vetvete
dhe – mbi të gjitha – do të jesh ti Njeri i plotësuar,
biri im.
(Shqipëroi: G. Jovani)
PERCEPTIME
nga
JOSEPH RUDYARD KIPLING
1. I mësova gratë prej grave.
2. I bëjmë mëkatet dy nga dy dhe çlirohemi prej tyre një nga një.
3. Thuaj “ne”, “neve” dhe “tonat” kur flet, se sa “miqtë e mi” dhe “unë”.
4. Kurrë, asnjë dyshim nuk mund të ketë për popullin, përse është sovran, i fortë dhe i mençur. Në mendjen dhe duart e tij gjenden sa mëkati aq dhe virtyti.
5. O, vitet që depozitojmë dhe lotët që humbasim dhe puna e mendjes dhe e duarve tona i takojnë gruas dhe ajo nuk e di… Dhe nuk e kupton.
6. Preferoj të mendoj më të mirën për çdonjërin, më shpëton prej shumë problemeve.
7. Duhet të përballojmë rreziqet më të mëdha dhe më të forta, pasi kemi marrë masat paraprake.
8. Forca e lukunisë është ujku dhe forca e ujkut është lukunia.
9. Femërorja e çdo specieje është më e rrezikshme se mashkullorja.
10. Zoti nuk mund të jetë i pranishëm kudo, prandaj gatoi nënat.
11. Tek të njëzetat e tua, gjërat për të cilat nuk e çan kokën, duhet të jenë shumë.
12. Të merrni seriozisht ç’t’ju pëlqejë, përveç vetvetes.
13. Letrat më të mira dashurie prej një gruaje gjithmonë i drejtohen një burri që tradhton.
14. Jam nga natyra tregtar fjalësh. Dhe fjalët, natyrisht, janë narkotiku më i madh që përdor njerëzimi.
15. Kam gjashtë argatë në punësimin tim. (Ata më mësuan gjithçka di). Emrat e tyre janë Çfarë dhe Përse, Kur dhe Si dhe Ku dhe Cili.
16. Kemi dyzetë milionë shkaqe për dështimin, justifikim asnjë.
17. I kam të miat eshkën dhe strallin dhe mund të ndërtoj Skëterrën time.
18. Kushti i parë për të kuptuar një vend të huaj është t’i mbash erë.
19. Azia nuk mund të modernizohet me metodat e Perëndimit. Ekziston një Azi shumë e madhe dhe është shumë e vjetër.
20. Gabimi im, dështimi im nuk janë pasionet që kam, por mungesa ime tek kontrolli i tyre.
(Mblodhi dhe shqipëroi: Grigor JOVANI)