Gjermania po përballet me një nga karantinat më të rrepta në Europë, prej pothuajse dy muajsh. Por diçka, ose gjithçka, mund të ndryshojë, në përditshmërinë e më shumë se 80 milionë banorëve të saj. Ministri i Shëndetësisë gjermane, Jens Spahn, ka deklaruar se vendi është gati për shpërndarjen falas të tamponëve testues për COVID-19. Mes tyre, edhe gjenerata e fundit e testimeve të shpejta, që japin një përgjigje në rreth 15 minuta.

Anulimi i kostos për tamponët mund të fusë vendin në një dimension të ri të përballjes me pandeminë, atë të tamponit që, të paktën për 24 orë, mund të shndërrohet në një leje kalimi për aktivitete që në këto momente janë të ndaluara, si darkat në restorante ose mbrëmjet në lokalet e natës, por edhe gjatë ditës në kinema, teatro dhe muze.

Pothuajse një rikthim në normalitet, dhe një rimëkëmbje e ekonomisë që edhe në vendin më të fuqishëm në Europë po lë pasoja të rënda. Presioni i kompanive të mëdha po bëhet gjithmonë e më i fortë ndaj qeverisë, edhe pse Merkel ka premtuar subvencionime shtesë, edhe për kompanitë më të mëdha, me një xhiro vjetore zakonisht mbi 750 milionë euro, veçanërisht ato të sektorit të turizmit dhe shërbimeve.