Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fico deklaroi të mërkurën se shqiptarët doo të detyrohen të mbajnë maskë në mjedise të hapura nën kërcënimin e gjobave që do të fillojnë me 3 mijë lekë për shkeljen e parë dhe 5 mijë për shkeljen e dytë si një masë parandaluese për përhapjen e mëtejshme të koronavirusit të ri.

Fico përmendi një numër të kufizuar rastesh kur maska nuk është e detyrueshme të mbahet, të tilla si rastet kur po bën aktivitet sportiv, kur po i jep biçikletës apo motoçikletës i vetëm apo kur po lahesh në pishinë, liqen apo det.

Personat që për arsye shëndetësore nuk janë në gjendje të mbajnë maskë, duhet të pajisen me një vërtetim të kësaj gjendjeje nga mjeku i familjes. Maskat lejohet të hiqen vetëm kur një polic apo një punonjës banke kërkon të të identifikojë, apo në rastet kur shitësi do të verifikojë vizualisht moshën e klientit që po blen mallra të ndaluar për t’u treguar për minorenët.

Fico nuk shpjegoi nëse fshatarët në zonat rurale apo zonat e nënpopulluara do ta kenë apo jo të detyrueshme mbajtjen e maskës.

Masat e reja vijnë në një kohë kur numri i personave të prekur në vend po rritet në mënyrë të vazhdueshme dhe numri i rasteve aktive të njohura ka arritur në 5,600 vetë. Deri më sot 429 shqiptarë kanë humbur jetën nga sëmundja COVID 19. Shqipëria po identifikon rreth 150 raste të reja me COVID çdo ditë ndërsa numri i testimeve mbetet nga më të ulëtit në planet, me normë pozitiviteti prej 10-20% të rasteve të testuara.

Vende të ndryshme të botës po marrin masa të reja për të luftuar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes, me frikën se afrimi i klimës së ftohtë të vjeshtës dhe kombinimi i SARS-COV 2 me viruset e zakonshme të stinës së gripit mbart potencialin për një krizë më të madhe në shëndetin publik.

Irlanda e Veriut ishte e fundit që vendosi të mërkurën të mbyllë shkollat për dy javët e ardhshme dhe restorantet e lokalet për katër javë për shkak të rritjes së shpejtë të rasteve me virus dhe frikës për potencialin e rritjes eksponenciale në kushtet e mungesës së masave penguese.

Irlanda e Veriut ka një popullsi prej 1.8 milionë banorësh dhe ka regjistruar 900 raste në ditë përgjatë javës së fundit, gjë që solli vendimin për mbyllje.

Britania e Madhe ka nisur të aplikojë një sistem mbylljesh të lokalizuara në zonat me përhapje më të madhe dhe më shumë liri në zonat me incidencë më të ulët.

Në Itali mbajtja e maskave në rrugë është bërë e detyrueshme që nga java e kaluar ndërsa në Bruksel aktualisht kafenetë dhe restorantet janë mbyllur.