Themeluesi i Wikileaks Julian Assange nuk do të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara, për shkak të shqetësimeve në lidhje me shëndetin mendor.

Një gjykatë në Londër bllokoi kërkesën për ekstradim pas provave për depresion dhe mendimeve vetëvrasëse.

Sipas gjyqtares Vanessa Baraitser, Assange do të ishte në rrezik shumë të madh, nëse ekstradohej në një burg të sigurisë së lartë në SHBA.

49-vjeçari kërkohet për publikimin e mijëra dokumenteve të klasifikuara në 2010 dhe 2011.

Gjyqtarja Vanessa Baraitser vendosi se pavarësisht kushteve që plotëson SHBA-ja, këta të fundit janë të paaftë në parandalimin e Assange që të vrasë veten.

SHBA kërkon të ekstradojë Assange, i cili përballet me akuzat për spiunazh dhe publikimin e dokumenteve sekrete ushtarake, gjatë luftërave në Afganistan dhe Irak.

Autoritetet amerikane kanë thënë se vendimi do të apelohet, ndërsa Assange thotë se çështja është e motivuar politikisht.

Nëse Assange shkon në SHBA mund të përballet me 175 vite burg nëse dënohet.