Ish-drejtori i RTSH, Thoma Gëllçi ka humbur betejën me drejtësinë për të fituar lirinë.

Pas shkallës së parë dhe Apelit, Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Gëlliëit duke vendosur që ai të qëndrojë pas hekurave të paktën deri në përfundim të hetimeve.

Vendimi është marrë ditën e djeshme nga Gjykata e Lartë, duke rrëzuar kështu rekursin për masë më të butë sigurie.

Ish-drejtori i RTSH u arrestua disa muaj më parë, pasi bashkë me tre punonjës akuzohen për pabarazi në tenderë dhe abuzim me detyrën në kohë kur Gëllçi ishte në detyrë.

Shkelja bën fjalë për një tender të vitit 2018 me fond prej 86 milionë lekësh për blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro, ku tre anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Alban Malaveci, Ervin Muraj dhe Julian Tapia akuzohen për shkelje të barazisë në tenderë.

Nga hetimet gjithashtu ka rezultuar se Thoma Gëllçi si ish-drejtori i Përgjithshëm i Radion Televizionit Shqiptar ka kryer shkelje ligjore në këtë procedurë prokurimi dhe akuzohet për shpërdorim detyre.