Gjykata e Lartë ka regjistruar rekursin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili kundërshton vendimin e Gjykatës së Apelit që vendosi gjykimin nga e para për të.

Ankimimi do shqyrtohet nga gjyqtari Ilir Panda për shkak se është i vetmi gjyqtar penalist në Gjykatën e Lartë.

Në vendimin e marrë më 26 qershor, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsion dhe Krim të Organizuar vendosi të kthejë për rigjykim çështjen ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri.

Apeli vlerësoi se “në Gjykatën e Shkallës së Parë ishte ndryshuar cilësimi i veprës penale dhe ishte ngritur akuzë e re pa i lënë kohë të pandehurve të njihen me të, të mbrohen apo të paraqesin prova të reja”.

Për këtë vendosi të prishë vendimin e dhënë nga kjo gjykatë dhe kthimin e çështjes për rigjykim me trupë tjetër gjykuese.

Në Shkallën e Parë, ndaj ish-ministrit prokuroria pati kërkuar dënim me 12 vite burg për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Mirëpo në shtator të vitit 2019, kur shpalli vendimin, gjykata e rikualifikoi akuzën dhe e dënoi atë me 5 vite burg për shpërdorim detyre, dënim që u kthye në 3 vite e 4 muaj shërbim prove për shkak të gjykimit të shpejtuar.

Ish-ministri e cilësoi vendimin të padrejtë dhe tha se betejën për pafajësi do ta vijonte deri në fund.