Gjykata e Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rrëzoi padinë e Presidentit Donald Trump për të shpallur të pavlefshme fitoren e zgjedhjeve nga Joe Biden duke i dhënë kështu fund përpjekjeve të tij ligjore për të kundërshtuar rezultatin.

Trump shkroi në Twitter të premten se “Gjykata e Lartë na la në baltë. Pa urtësi, pa kurajo!”.

Stafi elektoral i Trump këmbënguli prej 4 nëntorit se fitorja e Joe Biden ishte rezultat “i manipulimeve masive të votave” dhe se ata do ta kundërshtonin duke iu drejtuar rrugëve ligjore.

Çështja ka të bëjë me rezultatin e katër shteteve, Xhorxhias, Miçiganit, Pensilvanisë dhe Uiskonsin. Në të katër këto shtete fitues qe shpallur Biden, mirëpo Trump iu drejtua gjykatave përmes delegatëve republikanë.

Pas rrëzimit të çështjes në gjykatat e shteteve dhe gjykatën federale të shkallës së parë, çështja u kalua në Gjykatën e Lartë ku ajo u paraqit nga shteti i Teksasit përmes kërkesës së 18 prokurorëve dhe 106 kongresmenëve republikanë.

Mirëpo Gjykata e Lartë doli në përfundimin se Teksasi “nuk kishte të drejtë ligjore për ta paraqitur këtë çështje pasi nuk ka juridiksion në organizimin e zgjedhjeve të katër shteteve të kontestuara”.

Pa oponencë nga të emëruarit e Presidentit Trump

Tre nga anëtarët e Gjykatës së Lartë janë të emëruar nga Presidenti Trump. Para disa muajsh, gjatë përpjekjes për të siguruar konfirmimin e shpejtë të zonjës Amy Coney Barrett, të emëruar prej tij në Gjykatën e Lartë, Presidenti Trump tha se ajo do të ishte e nevojshme për proceset gjyqësore pas zgjedhjeve. Zonja Barrett duket se ka marrë pjesë në të dyja çështjet këtë javë. Por askush nga të emëruarit e Presidentit Trump nuk paraqiti ndonjë mendim të kundërt në asnjërin nga rastet.

Urdhri i gjykatës ishte i dyti këtë javë që hedh poshtë kërkesat e republikanëve që ajo të përfshihet në rezultatin e zgjedhjeve 2020. Gjykatësit refuzuan një apelim nga republikanët e Pensilvanisë të martën.

Kolegji Zgjedhor mblidhet të hënën për të zgjedhur zyrtarisht zotin Biden si presidentin e ardhshëm.

Më shumë se gjysma e republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, përfshirë dy zyrtarët e tyre kryesorë, mbështetën padinë në një shfaqje të jashtëzakonshme të gatishmërisë së partisë për të përmbysur vullnetin e votuesve.

Shtatëmbëdhjetë prokurorë të përgjithshëm republikanë dhe 126 ligjvënës u bashkuan me Teksasin dhe me Presidentin Trump në thirrjen që Gjykata e Lartë të anulonte miliona vota në katër shtete kyçe të betejës elektorale, bazuar në pretendime të paprovuara për manipulime zgjedhore. Të premten, udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, nga Kaliforna, dhe kreu i pakicës Steve Scalise nga Luiziana nënshkruan një dokument të shkurtër në mbështetje të përpjekjes, duke demonstruar fuqinë e jashtëzakonshme politike të Presidentit Trump edhe ndërsa përhap pretendime të rreme, për të cilat shumë demokratë dhe të tjerë shqetësohen se mund të dëmtojnë rëndë demokracinë.

“Gjykata rrëzoi me të drejtë padinë e paligjshme, antidemokratike dhe ekstreme për të hedhur poshtë miliona vota të amerikanëve,” – u shpreh kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi.

Vendimi vjen pak ditë përpara se më 14 dhjetor, Kolegji Zgjedhor të mblidhet dhe të mandatojë Joe Biden-in si president i ardhshëm i SHBA-së, pasi ky fitoi 306 nga 270 delegatë të nevojshëm.

Në total kandidati demokrat mori 81 milionë vota kundrejt 74 milionë që grumbulloi Donald Trump. Në tërësi zgjedhjet e 3 nëntorit ishin ndër më të ndjekurat, por u shoqëruan nga kontestime për mënyrën se si u lejua të votohej me postë për shkak të pandemisë së COVID-19.

Më parë Trump e kishte konsideruar padinë e republikanëve të katër shteteve të kontestuara si “padia e madhe” që do të zhbënte rezultatin e 3 nëntorit 2020 dhe do t’i jepte atij mandatin e dytë presidencial.