Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK për të nisur sërish hetimet për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu rreth çështjes “Gërdeci”.

Mediu ishte një nga të akuzuarit për shpërdorim detyre për ngjarjen e vitit 2008 ku shpërthimi në një pikë demontimi të municioneve në Gërdec (Vorë, Tiranë) u mori jetën 26 personave.

Hetimet ndaj Mediut u mbyllën një vit më vonë, më 14 shtator 2009. Asokohe ai kishte imunitet si deputet.

Çështja ndaj ish-ministrit është rihapur pasi Zamira Durdaj, e cila humbi të birin në ngjarjen e Gërdecit, e kallëzoi atë në SPAK.

Dy muaj më parë Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme e rrëzoi kërkesën e SPAK-ut me argumentin se kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për rishqyrtimin e çështjes dhe se nuk ka prova të reja.

Gjykata pati arsyetuar se mungesa e imunitetit të Mediut, që nga viti 2012 për deputetët nuk e ka penguar prokurorinë të hetojë në këta 10 vjet.