Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për përgjegjësitë e tij në shpërthimin e Gërdecit, ndodhur më 15 mars 2008.

Kërkesa nga SPAK erdhi pas depozitimit të kërkesës së shtetasve Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindër të një prej 26 viktimave të Gërdecit, i cili humbi jetën në moshën 7 vjeç, me objekt ndjekjen penale të shtetasit Fatmir Mediu.

Çështja ndaj Mediut është pushuar me vendim të Gjykatës së Lartë më 14 shtator 2009, por SPAK thotë se “nga analizimi i pretendimeve të parashtruara në kërkesën e mësipërme, nga rezultatet e veprimeve verifikuese të kryera, lidhur me faktet e pretenduara, si dhe nga shqyrtimi i dokumentacionit të administruar, është arritur në përfundimin se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale”.