Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin me 30 mijë lekë gjobë të dhënë nga shkallët më të ulëta të gjyqësorit për kundëradmiralin Kristaq Gerveni, ish-përfaqësues ushtarak i Shqipërisë në selinë e NATO-s në Bruksel në vitet 2011-2014.Gerveni mori këtë masë dënimi, pasi u fajësua me vendim të formës së prerë në prill të vitit 2016 për akuzën e “pranimit të favoreve të ushtarakut”.

Sipas gjykatës, ai ka mbajtur një uniformë me një gradë më të lartë se ajo që i takonte gjatë një takimi të zhvilluar në Komitetin Ushtarak të NATO-s në 22 dhe 23 janar 2014. Referuar provave, në uniformën e tij ishin shenjat dalluese të një “Admirali” e jo të një “Kundëradmirali” teksa ishte në krah të ministres së mbrojtjes së kohës dhe përfaqësuesve më të lartë ushtarakë të vendeve anëtarë te Aleancës.

Në Gjykatën e Lartë Gerveni kërkoi pafajësi, duke pretenduar ndër të tjera, se gjithçka kishte qenë një gabim njerëzor, një pakujdesi në kushtet e stresit dhe ngarkesës në takimet e NATO-së. Kolegji Penal vlerësoi të mos e pranojë rekursin, duke lënë kështu të pandryshuar fajësinë dhe dënimin për Gervenit.

Në anën tjetër, Kristaq Gerveni është në një përballje administrative në Gjykatën e Lartë me kryeministrin, ministrin e Mbrojtjes, presidentin dhe shefin e shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të vitit 2014, ku kërkon shfuqizimin e urdhrit “për nxjerrjen në rezervë” të tij.