Granit Xhaka, një nga futbollistët më të mirë me origjinë shqiptare, aktualisht pjesë e Arsenalit, mund të kishte veshur fanellën kuqezi dhe jo atë të Zvicrës. Por nga Federata Shqiptare e Futbollit, siç pohon ai vetë, nuk u bënë përpjekje për ta pasur mesfushorin në Kombëtare, ndryshe nga sa u bë me vëllanë e tij, Taulantin, tashmë i tërhequr nga kuqezinjtë.

Granit Xhaka thekson se babai i tij, Ragipi, kërkoi që atë dhe Taulantin t’i afronte te Shqipëria, por nuk gjeti mbështetje nga drejtuesit e FSHF-së.

Gjatë një bisede me blogerin Kozak Braci, Graniti është shprehur: “Isha 16 vjeç, kur babai na ofroi mua dhe Taulantin në Kombëtaren e Shqipërisë, por nuk pati interesim. I vetmi person që më ka thirrur në Kombëtaren e Shqipërisë është Lorik Cana. Ai më ka marrë në telefon dhe më ka pyetur si është situata, kurse prej federatës shqiptare nuk ka pati kurrë interesim.

Nga Zvicra pata interesim konkret, nuk pata shumë kohë të mendohem. Kur ulet me ty një trajner legjendar, si Otmar Hicfeld, atëherë natyrisht që mendon seriozisht. A do të kisha kaq shumë sukses, nëse zgjidhja Shqipërinë? Nuk mund të përgjigjem, e kam të pamundur. Mund të them se i jam shumë mirënjohës Zvicrës, që më ka hapur dyert mua dhe familjes sime. Kjo nuk do të thotë kurrsesi se jam kundër Shqipërisë. Jam shqiptar dhe gjakun e kam shqiptar”, ka deklaruar Granit Xhaka.

Xhaka ka debutuar për Zvicrën në qershor të vitit 2011. Ai deri më tani ka zhvilluar 98 paraqitje dhe ka shënuar 12 gola. Xhaka pritet të thërritet nga Zvicra në ndeshjen miqësore që Zvicra do të zhvillojë me 29 mars kundër Kosovës.