Qeveria greke ka ndërmarrë një program për të mbështetur qytetarët, prodhuesit dhe fermerët pas shtrenjtimit të papritur të çmimit të energjisë elektrike dhe karburanteve.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e qeverisë, kryeministri grek Mitsotakis i bëri thirrje tregtarëve të karburanteve që të mos spekulojnë në këtë periudhë të vështirë për vendin duke rritur çmimet në mënyrë të paarsyeshme.

“Armiku ynë nuk është vetëm lufta, por spekulimet në tregun e gazit dhe naftës”, tha kryeministri para kabinetit qeveritar mesditën e sotme sipas Protothema.

“Është koha që politikanët europianë, në rrethana ekstreme – theksoj në rrethana ekstreme, siç po përjetojmë tani – duhet të marrin masa të guximshme, radikale dhe të natyrës direkte, të cilat do ta shkëputin gjeopolitikën nga kriza energjitike“, tha Mitsotakis.

Kryeministri grek ritheksoi angazhimin e qeverisë se “mbështetja për bizneset, familjet dhe fermerët do të vazhdojë” për sa kohë të vazhdojë kriza.

“Në fakt, në dhjetë ditët e ardhshme, besoj se do të arrijmë, me ministrat përgjegjës për të shpallur një program shtesë, i cili do të ofrojë mbështetje të plotë për qytetarët, prodhuesit dhe fermerët“, tha ai.

“Nëse marrim parasysh se çmimet e gazit para krizës ishin 30 euro për megavat dhe tani arrijnë në 300 euro, atëherë kuptojmë se armiku ynë nuk është vetëm lufta, por një mosfunksionim i madh me shkaqe spekulative në tregun e energjisë.

Kjo është një nismë e kombinuar me nevojën për krijimin e një Fondi të Posaçëm për të absorbuar rritjet e çmimeve të energjisë. Dhe, padyshim, është pjesë e planifikimit më të gjerë evropian për shkëputjen e vendeve anëtare të bashkimit nga nafta dhe gazi rus. Gjithashtu, Komisioni Evropian dje ka paraqitur në debat publik një sërë propozimesh të cilat do të diskutohen nesër në Samitin e Jashtëzakonshëm.

Por propozimi ynë ka një synim specifik dhe realist, dhe ai është shkëputja e zhvillimeve të luftës nga rritja e çmimeve dhe vendosja e pengesave që këto dy kriza të ushqejnë njëra-tjetrën”, vijoi shefi i qeverisë greke.

Mitsotakis theksoi se paketa e qeverisë do të vijë brenda dhjetë ditëve pasi edhe të diskutohet me Komisionin Europian. Qasja është që të pengohet rritja spekulative e çmimeve të karburanteve dhe energjisë elektrike si edhe ndihma ndaj qytetarëve dhe bizneseve për të mos vijuar me rritjen e kostos së prodhimit dhe të jetesës.