Qeveria greke ka vendosur ndalimin e qarkullimit pas orës 18:00 në fundjavë, në tre rajonet kryesore, pas rritjes së numrit të të infektuarve të rinj.

Zëvendës Ministri i Mbrojtjes Civile Nikos Hardalias njoftoi të dielën se zonat e prekura nga kufizimet janë Selaniku, Atika dhe gadishulli i Halkidhiqisë.

Në fundjave do të lejohet të jenë hapur vetëm farmacitë, supermarketët, furrat e bukës dhe karburantet nga ora 07:00 deri në 17:00.

Në zonat e tjera të vendit, ndalimi i qarkullimit nis në orën 21:00.

Nga ana tjetër, qeveria greke ka vendosur të lehtësojë disa nga masat për bizneset. shitësit me pakicë dhe shërbimet e kujdesit personal (parukeritë e sallonet e bukurisë) do të hapen nga e hëna në të premte nga ora 07:00 deri në 18:00.

Ndërsa shkollat do të vijojnë të qëndrojnë të mbyllura dhe mësimi do të zhvillohet online.

Të dielën ishte hera e parë në 7 ditët e fundit që numri i të infektuarve ditorë ra nën 1000 raste.

Që nga fillimi i pandemisë një vit më parë, në Greqi ka pasur 163,946 raste të infektuar me koronavirus, mes të cilëve 5,972 kanë humbur jetën.