Holanda ka ndryshuar qëndrimin e saj në lidhje me hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në Komisionin Parlamentar për Çështjet e Jashtme është miratuar raporti më i ri i vlerësimit për vendin tonë ku ndër të tjera është rënë dakord për mbajtjen e Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së.

Ministrja e re e Jashtme holandeze Sigrid Kaag ka vlerësuar progresin e Shqipërisë, duke nënvizuar se ky shtet ballkanik së fundmi ka bërë përparim me reformat në temat prioritare dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Qeveria holandeze është e kënaqur që Shqipëria ka bërë përparim me reformat në disa çështje kyçe dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë fushë, ka përparim, megjithëse shifrat mbi dënimet e zyrtarëve të lartë mbeten një shqetësim theksuan deputetet holandeze. Gjithsesi Shqipëria ka bërë progres të mjaftueshëm në kushtet e paracaktuara”, ka thënë ajo.

Por mbledhja e ditës së sotme është shoqëruar edhe me debate mes deputetëve holandezë. Deputeti i Partisë Socialiste në Holandë, Jasper Van Dijk, ka akuzuar Partinë Popullore për Liri se i është dorëzuar presioneve të Komisionit Europian. Sipas tij, një vit më parë, kjo parti votoi një mocion për të mos u hapur negociatat me Shqipërinë.

“Duhet mbështetje maksimale për të mirëpritur vendet e reja. Ka dyshime për këtë mbështetje në Holandë dhe BE. Dyshime të forta edhe rreth progresit të Shqipërisë. Jemi të bindur se duhet që të ndodhin zhvillime të tjera”, tha van Dijk.

Por nga ana tjetër, një përfaqësues i forcës kristian-demokrate, Mustafa Amhaouch, ka thënë se hapja e negociatave nuk do të thotë anëtarësim i menjëhershëm.

“Partia jonë ka qenë gjithmonë kritike për Shqipërinë. Arsyet janë krimi i organizuar, korrupsioni dhe mashtrimi në sistemin politik shqiptar. Por mbështesim pozicionin e qeverisë tani”, tha ai.

Holanda kryesonte listën e vendeve skeptike për çeljen e negociatave të Shqipërisë në BE, por ka ndryshuar krejtësisht kurs. Pas këtij qëndrimi pozitiv të shprehur nga qeveria holandeze, por dhe deklaratave të kryediplomatëve të vendeve si Gjermania, Austria por dhe Italia duket se Shqipëria do t’i hapet rruga në mbledhjen e 22 Qershorit të Këshillit Europian për çeljen e kuadrit negociues që do të pasojë konferencën ndërqeveritare.

Rama: Jua kisha thënë

Kryeministri Edi Rama reagoi pas miratimit të Parlamentit të Holandës të kuadrit negociues me Shqipërinë, që i hap rrugë nisjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare mes vendit tonë dhe Bashkimit Europian.

“Parlamenti holandez mbështet thirrjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare Shqipëri – BE për nisjen zyrtare të negociatave për anëtarësim. Jua kisha thënë, pa u bërë zgjedhjet atje nuk kemi çfarë presim dhe ja, zgjedhjet mbaruan Shqipëria u zhbllokua”, shkruan Rama në Facebook.