Kuvendi i Shqipërisë miraton projekt-rezolutën për rolin e tij në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të Ligjit Nr. 15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, dhe të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë;

  • Duke marrë parasysh vendimin e Këshillit Evropian të datës 26 mars 2020,  për hapjen e negociatave të anëtarësimit me  Shqipërinë, bazuar ne progresin e arritur në reformat dhe përmbushjen e kushteve të përcaktuara në unanimitet nga Këshilli i qershorit 2018;
  • Duke theksuar rolin parësor të Kuvendit në përmbushjen e detyrimeve të procesit të integrimit, në monitorimin e aktivitetit të strukturave shtetërore për integrimin evropian dhe duke shërbyer si urë lidhëse mes aktorëve të përfshirë;
  • Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare i kanë dhënë Shqipërisë në përmbushje të reformave të ndërmarra për konsolidimin e shtetit të së drejtës, forcimin e institucioneve demokratike dhe respektimin e të drejtave të njeriut;
  • Duke vlerësuar miratimin nga Këshilli i Bashkimit Evropian të Metodologjisë së re të  Negociatave, që do t’i japë procesit më shumë dinamizëm, besueshmëri, parashikueshmëri dhe vullnet më të fortë politik;
  • Duke marrë parasysh projekt-Kornizën e Negocimit  me Republiken e Shqipërisë qe përcakton parimet dhe procedurat sipas të cilave do të zhvillohen negociatat e anëtarësimit, prezantuar nga Komisioni Evropian më 1 korrik 2020;
  • Duke marrë parasysh vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian që Konferenca e parë Ndërqeveritare të mbahet sa më shpejt pas miratimit të Kornizës së Negocimit nga Këshilli dhe që, deri atëherë, Shqipëria duhet të ketë miratuar reformën zgjedhore në përputhje  me rekomandimet e OSBE/ODHIR, duke siguruar financim transparent të partive politike dhe fushatave elektorale; të ketë siguruar vijimin e zbatimit  të reformës në drejtësi, përfshirë sigurimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh ekspertizën përkatëse ndërkombëtare, përfshirë opinionet përkatëse të Komisionit të Venecias; të ketë përfunduar ngritjen e strukturave të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; të forcojë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, edhe nëpërmjet bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE-së dhe përmes plan veprimit për të adresuar rekomandimet e Task Forcës të Veprimit Financiar (FATF);
  • Duke u bazuar nëpërparësitë që duhet të përmbajë Korniza e Negociimit,që do t’i paraqitet Shqipërisë në Konfencën e parë Ndërqeveritare, të përcaktuara nga Këshilli i Bashkimit Evropian më 25 mars 2020,

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë:

  1. Përshëndet vendimin historik të Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.
  2. Vlerëson progresin e arritur në reformat që lidhen me integrimin evropian, qe bëri të mundur plotësimin e kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe vendimin përkatës të Këshillit.
  3. Rikonfirmon se procesi i negociatave dhe anëtarësimi me të drejta të plota në Bashkimin Evropian është qëllimi strategjik kombëtar i Shqipërisë, si një vend që synon dhe është i angazhuar plotësisht për konsolidimin e demokracisë, respektimit të parimeve të shtetit të së drejtës, të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të dialogut politik, të transparencës, të gjithëpërfshirjes dhe të ekonomisë funksionale të tregut, që përbëjnë vlerat e përbashkëta mbi të cilat është themeluar Bashkimi Evropian;
  4. Konfirmon qasjen e tij se përparimi në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Shqipërisë bazohet në hartimin dhe zbatimin plotëesisht te reformave transformuese dhe të pakthyeshme.
  5. Thekson se dialogu konstruktiv ndërpartiak brenda institucioneve kushtetuese është thelbësor për  procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
  6. I kërkon Qeverisë dhe të gjithë institucioneve të tjera përgjegjëse që të konsolidojnë reformat e arritura dhe të thellojnë më tej reformat për plotësimin e përparësive të vendosura në Përfundimet e Këshillit të Bashkimit Evropian të datës 25 mars 2020.
  7. Miraton Planin e Veprimit për plotësimin e përparësive të përcaktuara në Përfundimet e Këshillit të Bashkimit Evropian të datës 25 mars 2020.
  8. Angazhohet që të monitorojë zbatimin e Planit të Veprimit duke forcuar më tej veprimtarinë e organeve nëpërmjet të cilave Kuvendi ushtron përgjegjësinë e tij në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si Komisioni për Integrimit Evropian dhe Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian, me qëllim forcimin e dialogut gjithëpërfshirës dhe rritjen e transparencës në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
  9. Angazhohet të garantojë dhe të fuqizojë integritetin dhe pavarësinë e institucioneve kushtetuese dhe të krijuara me ligj.
  10. Angazhohet të forcojë ndërveprimin dhe aksionin diplomatik me parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në funksion të njohjes më të mirë të zbatimit të reformave nga ana e vendeve anëtare dhe opinionit të tyre publik.
  11. Angazhohet të vazhdojë të shqyrtojë me përparësi dhe në një proces të gjerë konsultimi, kuadrin ligjor që synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Evropian, si dhe të gjitha nismat të cilat janë pjesë e axhendës së anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me Kushtetutën, konventat ndërkombëtare dhe acquis-nëe Bashkimit Evropian.
  12. I bën thirrje shoqërisë civile dhe të gjithë aktorëve socialë të përfshihen në mënyrë domethënëse në debatet e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian dhe në platformat te tjera, në funksion të debatit të mirëinformuar mbi këtë proces me përparësi madhore në interes të vendit.
  13. Mbi bazën e arritjeve në zbatimin e përparësive kyçe, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë i shpreh Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të tij besimin në marrjen e vendimit për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare sa më shpejt brenda vitit 2020.