Media ka siguruar variantet e deritanishme të KLGJ dhe Ministrisë së Drejtësisë, lidhur me hartën e re gjyqësore.

KLGJ propozon një reduktim të ndjeshëm të numrit të gjykatave të rretheve, nga 22 të tilla në 12, me parimin një gjykatë një qark.

Qeveria e gjyqësorit propozon bashkim të gjykatës së Durrësit me atë të Kavajës dhe Krujës dhe bashkim të gjykatës së Dibrës me atë të Matit. Gjykatën e Fierit KLGJ vlerëson ta bashkojë me atë të Lushnjës, ndërsa në jug synohet bashkimi i gjykatës së Gjirokastrës, Sarandës dhe Përmetit.

Në të njëjtën formë, propozohet bashkimi i gjykatës Kukës me atë të Tropojës, i Korçës me Pogradecin, i Lezhës me Kurbinin, si edhe bashkim i gjykatave të rretheve Shkodër dhe Pukë.

Por ajo që ka ngjallur më shumë debat dhe përplasje me institucioneve është propozimi i KLGJ për të shkrirë gjashtë gjykata aktuale të Apelit në vend dhe bashkimin e tyre në një seli të vetme në Tiranë.

Nga ana tjetër, i kundërt është qëndrimi i Ministrisë së Drejtësisë, mos dakordësia e të cilës, duket se po mban pezull miratimin e hartës së re gjyqësore. Ministria e Drejtësisë vlerëson se në thelbin e rishpërndarjes së gjykatave duhet të jetë garantimi i aksesit të qytetarëve në drejtësi në kuptimin e afërsisë së qytetarëve me gjykatat, mos rritje të kostove financiare për qytetarët apo shtetin, si dhe dhënie të drejtësisë pa zvarritje.

Ministria e Drejtësisë është kundër shkrirjes së gjashtë gjykatave të Apelit në një të vetme. Referuar faktit se kjo do të lindte nevojën e ndërtimit të një godine të re me kosto gati 4.2 milionë euro, si edhe do të shtonte kostot e transportimit të të burgosurve, apo kostot e dietave të avokatëve kryesisht, ministria del në konkluzionin se ndikimi ekonomik negativ do të ishte më i lartë se efikasiteti në dhënien e drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë propozon mbajtjen e katër gjykatave Apeli, ose në variantin më minimal, 3 të tilla. Lidhur me gjykatat e Shkallës së Parë, ministria nuk pranon shkrirjet e gjykatave, por konfigurimin e disa prej tyre si degë të gjykatave më të mëdha të çdo qarku. Mungesa e një koordinimi po vonon miratimin e hartës së re gjyqësore dhe propozimin e saj në qeveri. Deri në atë moment, në gjykatat gjysmëfunksionale gjyqet do të çapiten falë gjyqtarëve të deleguar nga gjykata të tjera.