Ka ndërruar jetë në moshën 98-vjeçare, George Blake, një ndër spiunët më të famshëm të Luftës së Ftohtë. Krahas Rrethit të të Pestëve të Kembrixhit, Blake përfaqëson goditjen më të fortë dhe poshtëruese për shërbime britanike të inteligjencës. Jeta e tij në vetvete karakterizohet nga thyerjet e forta të një ndër shekujve më të pazakontë të historisë.

Vdekja

Ish-spiuni anglez pretendonte se kishte spiunuar dhe zbuluar identitetin e 600 agjentëve perëndimorë, disa prej të cilëve kanë humbur edhe jetën.

Ai vdiq në Moskë, ku jetonte që prej arratisjes nga burgu në vitin 1966. Blake u dënua me 42 vite burg në vitin 1961 për zbulimin e sekreteve. Pas arratisjes në kohën kur Anglia kishte fituar Kupën e Botës, Blake arriti në Berlinin Lindor për t’u dorëzuar te sovjetikët.

“Lajmi i hidhur erdhi, legjendari George Blake na la”, tha Sergey Ivanov, zëdhënësi i Agjencitë Rusë të Shërbimeve Inteligjente të Jashtme (dikur KGB).

Blake mbushi 98 vjeç muajin e kaluar, duke u bërë veterani më i vjetër i KGB-së. Ai jetonte së fundmi në një shtëpi fshati pranë Moskës, të cilën e kishte marrë dhuratë nga KGB-ja, në përpjekje për ta ruajtur nga infektimi me koronavirus.

“Mendoj se fjala tradhtar mund të përdoret për të më përshkruar”, citohet të ketë thënë dikur Blake. “Por kisha arsye shumë të forta”. Ai ka treguar më parë se kishte vendosur të dezertonte dhe të ndryshonte anë në Luftën e Ftohtë pasi kishte qenë dëshmitar i një bombardimi civilësh në Korenë e Veriut.

Edhe pse në arrati prej vitit 1966, ai mbajti kontakte me tre djemtë e tij, por as në vitet e fundit të jetës nuk u lejua të rikthehej në Britani për t’i takuar. Në Bashkimin Sovjetik, Blake mori disa dekorata, mes tyre edhe Urdhri i Leninit.

Pse cilësohet një spiun legjendar

I lindur si George Behar nga një nënë hollandeze dhe një baba hebre egjiptian, Blake iu bashkua rezistencës holandeze gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në vitin 1944 u rekrutua në shërbimin britanik, MI6.

Ai studioi rusisht në Kembrixh dhe u dërgua me detyrë në Luftën e Koresë në vitet ’50 ku u kap rob. Blake ka pranuar se ishte pikërisht në Kore kur ndodhi ndërrimi i tij dhe kalimi në lojën e agjentit të dyfishtë. Arsyet thuhet se janë emocionale dhe politike si pasojë e një reagimi ndaj bombardimeve të mëdha amerikane ndaj Koresë së Veriut.

I pritur si hero në Britani, besimi ndaj tij u rrit aq së për ironi, u dërgua në Berlin për të rekrutuar oficerë sovjetikë me synim kthimin e tyre në agjentë të dyfishtë. Me këtë detyrë ai informoi sovjetikët për dhjetëra agjentë amerikanë dhe britanikë dhe konsiderohet se ai u ka dhënë atyre edhe të dhënat për operacionin “Ari”, që parashikonte ndërtimin e një tuneli përmes të cilit përgjoheshin komunikimet sovjetike në Berlinin Lindor.

Në harkun kohor të 9 vjetëve, Blake ka ekspozuar 40 agjentë të MI6 duke shkatërruar shumicën e operacioneve të fshehta të shërbimit britanik në Europën Lindore. Po ashtu Blake arriti të zbulojë edhe agjentin amerikan brenda shërbimit ushtarak sovjetik, P.S Popov që u ekzekutua në vitin 1960. Vetë ai u zbulua në Perëndim nga dezertori polak, Michael Geloniewski, vetë ky një agjent i trefishtë. Blake u dënua me 42 vjet në burgun e Wormwood Scrubs në Londër.

Historia e tij vazhdon me arratisjen nga burgu që i ngjan një filmi dhe kalimin e kufirit britanik me një furgon për të mbërritur në Bashkimin Sovjetik. Blake ka pranuar se njihej me Kim Philby-n dhe Donald McClean, dy agjentë të Rrethit të Kembrixhit, por është shprehur se ndihej më i afërt me këtë të fundit.