Nga Viktor Malaj

Njerëzit e mençur e përdorin historinë si mësim, politikanët si armë ndërsa budallenjt si lodër pa kuptim. Nuk ka asnjë dyshim se politikanët, qeveritë dhe regjimet politike, pavarësisht kohës, vendit dhe sistemeve politike, më së shumti e kanë përdorur dhe e përdorin historinë, ngjarjet, faktet dhe personazhet e saj si armë ndaj kundërshtarëve dhe si mjet për lartësimin e vetes. Ata që duhej të nxirrnin mësime prej saj më shumë se askush tjetër, janë, në fakt, nxënësit më të këqinj të historisë.

Kur shkrimi dhe interpretimi i historisë bëhen me skrupulozitet shkencor dhe integritet moral ato iu shërbejnë brezave të ardhshëm për të mos shkelur në “dërrasë të kalbur”. Shkrimi dhe interpretimi i drejtë i saj varen nga shumë faktorë, si: niveli kulturor i studiuesve, integriteti moral i tyre dhe, mjaft shpesh, nga pikëpamjet ideologjike e politike dhe, veçanërisht, nga raportet e studiuesit me ngjarjet dhe personazhet e saj.

Përtej pretendimeve dhe ankimeve të përhershme, ai që quhet “politizim” është një sëmundje së cilës nuk ka mundur deri tani t’i shpëtojë askush. Shkalla e dëmtimit nga kjo sëmundje ka qenë dhe është e ndryshme tek studiues dhe qytetarë të ndryshëm në raport me gjendjen “shëndetësore” dhe shkallën e imunitetit tek secili syresh.

Menjëherë mbas rënies së sistemit komunist (më saktë, socializmit shtetëror) lindën pretendimet dhe kërkesat për rishikimin dhe rishkrimin e historisë tonë kombëtare. Objekti kryesor i këtyre kërkesave ishte periudha e LNÇl dhe ajo e sistemit njëpartiak (1945-1990). Në thelbin e tyre këto kërkesa ishin dhe mbeten të drejta për dy arësye themelore: sepse historiografia komuniste ishte udhëhequr nga faktet historike, por edhe nga interesat politike të atyre protagonistëve të historisë që ishin në pushtet.

Së dyti, mbas vitit 1990, siç ndodh rëndom në histori, u gjetën dhe u publikuan edhe dokumente apo fakte të reja.

Kërkuesit e rishkrimit të historisë patën dhe kanë si argument kryesor të nevojës së rishkrimit të saj faktin se ata që e kishin bërë këtë punë deri atëherë kishin qenë të politizuar. Mirëpo, cili njeri në këtë botë është plotësisht i papolitizuar? Asnjë dhe asnjëherë. Mund të mos jesh anëtar i asnjë partie apo organizate politike, mund të mos kesh pasur kurrë poste politike apo administrative dhe, megjithatë, e ke të pamundur, si qënie shoqërore, të mos kesh prirjet, pëlqimet, mospëlqimet vetjake të cilat mund të të çojnë në konkluzione jo plotësisht të drejta.

Kjo periudhë 30-vjeçare jo vetëm na dëshmoi se historia e shkruar ka pasur dhe ka nevojë për plotësime, sqarime dhe mirëinterpretime, por na ka bindur plotësisht se edhe kërkuesit e zjarrtë të rishkrimit të historisë, edhe mëtuesit e një nisme të tillë sot, janë akoma më shumë të politizuar dhe skajshmërisht të pozicionuar në raport me ato çfarë kanë ndodhur dikur.

Ne s’jemi as bërës dhe as shkrues të historisë, por thjesht konsumues të saj, që na intereson e vërteta, sepse vetëm e vërteta të ndihmon të mos gabosh dhe të ecësh përpara. Lexuesit e historisë dhe historianët në veçanti e dinë shumë mirë se historia mund të shtrembërohet duke e fshehur atë, duke shtuar fakte të paqena, duke lënë jashtë fakte të njohur, duke keqinterpretuar faktet e ditur dhe duke e gjykuar faktin, sjelljen apo personazhin historik me mendësitë dhe rrethanat e sotme dhe jo duke e vënë atë në rrethanat shoqërore, historike dhe politike, të brendshme dhe të jashtme kur ka jetuar dhe vepruar.

Kundërshtarët e regjimit komunist, me një të rënë të lapsit, e shpallën të gabuar gjithçka ishte thënë e shkruar deri në vitin 1990 dhe pretenduan me bujë të madhe, por me përgjegjësi të vogël, se e “vërteta e kulluar” do të gjendej, tani e mbrapa, vetëm në shkrimet dhe interpretimet e tyre. Meqënëse ishin pasardhës biologjikë e politikë apo, thjesht, shpirtërorë, të grupimeve politike dhe klasave të goditura nga regjimi hoxhist, ata bënë gabimin fatal, duke besuar dhe propaganduar se gjithçka duhej kthyer kokëposhtë, se të gjithë heronjt apo njerëzit e vlerësuar deri atëherë duheshin shpallur si “përfaqsues të së keqes” dhe të gjithë ata që ishin goditur apo damkosur nga periudha 45-vjeçare duhej të shpalleshin si “përfaqsuesit e të mirës, atdhetarë, nacionalistë, demokratë, gjeni të kombit” etj.

Pa u zgjatur shumë në këtë ndërmarrje donkishoteske dhe të paperspektivë, më duhet të them se shkak i shprehjes së këtyre mendimeve modeste u bë një iniciativë e Akademisë Shqiptare të Shkencave për studimin dhe botimin e një “Historie të Shqiptarëve”, si dhe reagimi i z. Uran Butka ndaj pronocimeve të akademikëve P. Milo dhe P. Xhufi. Zoti Uran Butka i përket një familjeje me tradita atdhetare.

Emri i gjyshit të tij Sali Butka ka qenë shkruar dikur edhe në librat e historisë së para 1990 si patriot e luftëtar për çështjen kombëtare gjatë fillimit të shek. 20- të. Babai i z. Butka, Safet Butka ka qenë një nga figurat e Ballit Kombëtar në jug të Shqipërisë dhe ka bërë pjesë në krahun luftarak të kësaj organizate politike që përfaqsonte mendimin politik se duhej luftuar kundër pushtuesve. I biri, Urani nuk pati pësuar asnjë lloj persekutimi gjatë regjimit hoxhist por, pas vitit 1990 ka qenë dhe mbetet një nga individët e krahut ekstremist dhe skajshmërisht i njëanshëm në trajtimin e ngjarjeve kryesore historike të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të.

Z. Butka ka mbrojtur vazhdimisht idenë se gjatë periudhës së pushtimit nazi-fashist të vendit tonë nuk patëm luftë çlirimtare, por thjesht luftë civile. Sipas tij, komunistët e mallkuar morën pjesë në demonstratat antifashiste, krijuan grupet guerilje, çetat partizane dhe, më vonë, brigadat dhe korparmatat ushtarake, thjesht për t’iu marrë pushtetin kundërshtarëve të tyre politikë. Me këto të pavërteta historike të cilat nuk gjejnë bazë askund në faktet historike dhe arësyetimet njerëzore, Butka dhe të tjerë si ai, shpresojnë se “me një gur do të vrasin dy zogj”: Do të shtrijnë përdhe krejt armatën e atyre që bënin pjesë në FNÇl dhe, sidomos në UNÇl dhe, nga ana tjetër, do të bëjnë të paqenë ose të përligjin bashkëpunimin, e hapur apo të fshehtë, aktiv apo të heshtur të BK dhe Legalitetit me pushtuesit e vendit.

Këto mëtime dhe përpjekje janë rezultat i mllefeve, zemërimit dhe pasioneve që kanë shoqëruar tash 80 vjet të gjithë ata që, në rastin më të mirë, u treguan syleshë, naivë dhe dritëshkurtër ose, në rastin më të keq, u treguan të padenjë, egoistë dhe atdheshitës atëherë kur vendi i tyre kishte nevojë më shumë se kurrë për sakrificat sublime të bijve të vet.
Veçanërisht, ato që pësuan nxënësit e këqinj të historisë dhe luftëtarët e padenjë të atdhetarizmës, si dhe pasardhësit e tyre, prej atyre që morën pushtetin në vitin 1944 janë shkaku kryesor i këtyre mllefeve dhe shtrembërimeve të historisë, me shpresën naive dhe të kotë të gjetjes ngushëllim në keqinterpretimin e ngjarjeve dhe keqpërcaktimin e vlerave.

Kjo armatë me të drejtë e zemëruar, por padrejtësisht e orientuar, fillimisht na tha se nuk ka pasur bashkëpunim të “nacionalistëve” me pushtuesit. Pastaj, kur faktet dhe provat historike u bënë “mullar”, e ndryshuan “këngën” duke thënë dy gjëra, sa të pavërteta aq edhe të pavlefshme për kauzën e tyre. Sipas tyre, shumë nacionalistë bashkëpunuan me pushtuesit për të shpëtuar vendin nga ardhja e komunistëve në pushtet dhe, nga ana tjetër, u përpoqën (dhe përpiqen ende, duke përfshirë Butkën) të barazojnë bashkëpunimin e tyre ushtarak dhe sundues me pushtuesit e vendit me bashkëpunimin politik, diplomatik dhe ekonomik të komunistëve me Jugosllavinë, BRSS dhe vendet e Lindjes.

Ata, qëllimisht dhe me djallëzi, “harrojnë” se për shkak të rrezikut ekstrem të nazi-fashizmit, si ideologji diktatoriale, raciste dhe pushtuese, dhe praktikë mizorisht kriminale, SHBA, Anglia, Franca etj. u lidhën në aleancë të ngushtë me BRSS dhe ndihmuan njëra-tjetrën për arritjen e qëllimit final të përbashkët, edhe pse nuk kishte të ngjarë që nazizmi gjerman të mbërrinte në brigjet e tjera të oqeanit Atlantik.

Për njerëzit që nuk e shohin, interpretojnë apo përdorin historinë si armë por si mësim, ballistët, zogistët dhe shumica e shqiptarëve të tjerë të paangazhuar në formacione politike, e kanë dashur Shqipërinë po aq sa komunistët. Dallimi midis tyre nuk qëndron në faktin nëse e donin apo jo atdheun, por në konceptimin e rrethanave, vlerësimin e protagonistëve dhe përparësitë e qëndrimeve kundrejt ngjarjeve dhe kërkesave të kohës. Njerëzit mendjehapur dhe me gjykim të ftohtë nuk mund të pranojnë që BK dhe Legaliteti ishin thjesht dy organizata politike të përbëra nga tradhtarë, që u krijuan prej këtyre “tradhtarëve” dhe me qëllim kryesor dëmtimin e Shqipërisë.

Madje, edhe propaganda 50-vjeçare e PPSH-së, në shumicën dërmuese të rasteve, flet për “rënie të BK dhe Legalitetit në pozitat e tradhtisë kombëtare” dhe jo për organizata të mirëfillta tradhtare. Po kështu, njerëzit normalë, me moral të pastër dhe me arësye të shëndoshë, nuk ia lejojnë vetes konkluzionin se ata që e kundërshtuan pushtimin e vendit, fillimisht duke marrë pjesë në protesta, pastaj duke qëlluar me armë mbi pushtuesit dhe eksponentët vendas në shërbim të tyre dhe që, më vonë, u ballafaquan me armikun e huaj frontalisht (FNÇL, në të cilin bënin pjesë mjaft nacionalistë) paskan qenë tradhtarë, atdheshitës dhe përralla të tjera vetëdiskredituese.

Butka dhe të tjerë i mëshojnë faktit se komunistët po luftonin për pushtet. Kjo është plotësisht e vërtetë dhe, madje, është pranuar prej atyre vetë. Por, po kaq e vërtetë është se edhe kundërshtarët e tyre politikë kishin si synim, madje si synim kryesor pushtetin. Dallimi midis të dy palëve qëndron në faktin se të parët e shihnin ardhjen në pushtet nëpërmjet luftës kundër pushtuesve të huaj, ndërsa të dytët e shihnin rrugën drejt pushtetit kryesisht nëpërmjet luftës kundër komunistëve dhe Frontit, dhe (për të ruajtur veten dhe dobësuar kundërshtarin e brendshëm politik) qëndrimit pasiv e pastaj bashkëpunimit aktiv me pushtuesin e huaj. Do të na mjaftonte leximi i trakteve të parë të secilës forcë politike për të kuptuar përparësitë e secilës prej tyre.

Në fund të fundit, lindin disa pyetje që kërkojnë përgjigje shterruese: Kujt më parë se “nacionalistëve” i takonte krijimi i një formacioni politik dhe luftarak përderisa e donin pa hile vendin dhe kishin ndikimin më të madh në popull? Pse disa “çunakë” të panjohur u organizuan më shpejt dhe krijuan me shpejtësi formacionin e tyre politik (PKSH) dhe atë luftarak (FNÇL), ndërsa nacionalistët e njohur i krijuan organizatat e tyre politike vetëm 4-5 vjet pas pushtimit të vendit?

Cilët duhet të jenë motivi dhe objektivi kryesor i një organizate politike që krijohet në kushtet kur vendi është i pushtuar nga të huajt? A ishte Shqipëria e pushtuar apo jo në nëntor 1942 (kur u krijua BK) dhe në nëntor 1943 (kur u krijua Legaliteti) dhe, nëse po, përse programet dhe thirrjet e tyre kryesore nuk ishin për luftë kundër pushtuesve, por “Sot nuk na mbetet veçse nji gja me ba, me u armatosë dhe me pritë me kthjelltësi mbarimin e luftës, me pritë që të shihet qartë e mandej me veprue kundër çdokujt që kishte me dashtë me shkelë besimin tonë” (trakti i parë i BK, nëntor 1942)?!

Cila ishte ushtria e rregullt, formacionet dhe komanda qendrore e BK dhe Legalitetit? A e pranon e vërteta historike, logjika njerëzore dhe historiografia botërore që i huaji që vjen me ushtri në vendin tënd të konsiderohet “çlirimtar, kalimtar, administrator” etj. ndërsa kundërshtari yt politik i brendshëm të shpallet “pushtues”?!

Ne duhet të kemi respekt dhe t’i nderojmë të gjithë ata që të huajve pushtues iu kanë treguar pushkën, duke përfshirë paraardhësit e z. Butka, luftëtarët e 7 prillit 1939 etj., por ata që i bënë rezistencë pushtimit italian në prill 1939 vepruan ashtu për shkak të vetëdijes kombëtare dhe të ndjenjës së detyrës (ishin pjesëtarë të xhandarmërisë dhe ushtrisë) dhe jo pse ishin “nacionalistë” apo sepse bënin pjesë në organizatat e BK dhe Legalitetit (që nuk ekzistonin ende).
Konceptet e z. Butka për “luftën civile” janë krejt pa themel dhe dashakeqe.

Ai arrin deri aty sa konsideron luftë civile edhe shpartallimin e disa grupeve fshatarësh injorantë dhe të manipuluar nga ish-bashkëpunëtorët e pushtuesve, të cilët iu zunë pritë në Kelmend formacineve ushtarake shtetërore që nuk po iu kalonin as nëpër shtëpitë, as oborret dhe tokat e tyre, por në rrugë të madhe, dhe vranë gati 20 prej tyre. Cila qeveri në botë, pardje, dje dhe sot nuk vepron me dorë të hekurt ndaj akteve të tilla?

Po të kategorizohej kjo si luftë civile, atëherë i takon që Ahmet Zogu i ka zhvilluar nja 5-6 të tilla. Por, as Zogu dhe as Hoxha nuk kanë zhvilluar luftëra civile. Ata kanë shtypur me dorë të hekurt cilëndo tentativë sporadike dhe lokale që synonte të merrte pushtetin e tyre me dhunë.
Z. Butka, dhe të tjerë si ai, përpiqen të përdorin si Atu të teorisë së “luftës civile” prishjen e Marrëveshjes së Mukjes.

E vërteta historike është se bashkëpunimi me pushtuesit ka filluar qysh ditën e parë të zbarkimit italian, madje edhe më herët, dhe ka vazhduar gjatë gjithë pushtimit nazi-fashist në forma dhe me mjete të ndryshme. Po kaq e vërtetë është që edhe konfliktet dhe ballafaqimet e FNÇL me disa formacione të Ballit dhe Legalitetit kanë nisur përpara Marrëveshjes së Mukjes. Një e vërtetë tjetër është se asnjë organizatë tjetër politike në botë, në kushtet e vitit 1943, nuk do të pranonte një marrëveshje në të cilën ata që deri atëherë kishin dhënë kontributin kryesor, në mos të vetëm, në luftë kundër pushtuesit, të pranonin tani krijimin e një Komiteti të përbashkët ku ata të kishin një pakicë të papërfillshme.

Që BK dhe Legaliteti kanë bashkëpunuar me pushtuesit kjo as që ha diskutim, kështu që në këto kushte, ata që i mëshojnë idesë së “luftës civile” duhet të përgatiten edhe për faktin se, në çfarëdo versioni ta pranosh këtë “luftë civile”, faji gjithmonë dhe gjithkund i mbetet palës që ka bashkëpunuar me pushtuesin dhe jo asaj që iu ka vënë pushkën pushtuesve.

Është e sigurt se historia e vërtetë nuk mund të shkruhet dhe interpretohet nga njerëz të ngarkuar plitikisht dhe emocionalisht si z. Butka i cili ish-kryetarin e BK, Mithat Frashërin na e ka shpallur “gjeni të kombit” dhe “njohës dhe vizionar i politikës kombëtare e ndërkombëtare”. Mithat Frashëri duhet vlerësuar dhe respektuar për veprimtarinë e tij përpara Luftës së Dytë botërore por, si politikan, ai duket se nuk ka qenë njeriu i duhur dhe as i mençur. Gjenitë, njohësit dhe vizionarët e politikave kombëtare e ndërkombëtare nuk e rreshtojnë veten dhe ndjekësit e tyre me formacione apo blloqe politike e ushtarake që, jo vetëm humbin, por i dënon historia përjetësisht. Gjenitë dhe vizionarët i krijojnë në kohën e duhur organizatat e tyre politike, i orientojnë në mënyrën e duhur dhe i nxjerrin fitimtarë politikisht dhe moralisht dhe jo ashtu siç ndodhi me BK.

Unë nuk mendoj se projekt-marrëveshja e M. Frashërit me palën greke e vulos atë përfundimisht si tradhtar por besoj se ajo dëshmon për miopi politike, mungesë vizioni dhe mosnjohje të realitetit (pretendimi se karta e Atlantikut i mundësonte ndryshimin e kufijve të paraluftës dhe bashkimin me Kosovën). Po të ecim me kriteret dhe gjykimet e disa “historianëve” të pas 1990 do të konkludonim se projektmarrëveshja në fjalë, e cila nuk e përmend fare Çamërinë, do të quhej “shitje e Çamërisë” tek grekët, mirëpo njohja dhe logjika historike na mësojnë se as A. Zogu, as E. Hoxha apo M. Frashëri nuk e kishin në dorë as “shitjen” as “blerjen” e Kosovës apo të Çamërisë.

Si komunistët ashtu edhe antikomunistët duhet të binden përfundimisht se nuk mund ta zbardhin fytyrën e vet duke nxirë atë të kundërshtarit dhe se bazë për vlerësimin e rolit dhe vendit të secilit në histori mbeten sjelljet dhe veprimet e veta dhe jo ato të kundërshtarit. Aktet e gabuara dhe kolaboracionizmi i ” nacionalistëve ” gjatë luftës nuk mund t’i lajnë e amnistojnë fajet dhe krimet e komunistëve pas luftës dhe anasjelltas.

Butka dhe disa të tjerë reaguan pas prononcimeve të Xhufit dhe Milos duke paragjykuar se “projekti i Akademisë së Shkencave për historinë e re është një model zyrtar i dështuar. Ideimin, konceptimin, udhëheqjen, financimin i ka bërë Akademia pa projekte konkuruese”.

Ne nuk jemi akademikë por dihet mirëfilli se Akademia e Shkencave është institucioni kompetent që ka detyrë dhe të drejtë të merret me studime të tilla dhe t’i paraqesë ato në formën e shkruar. Akademia nuk organizon tendera dhe as ankande lidhur me punimet shkencore. Në grupin e punës ka historianë të para 1990 dhe të këtyre 30 viteve, ka “komunistë” dhe “antikomunistë”, dhe Akademia nuk mund të thërrasë në ndihmë cilindo shqiptar apo të huaj që i pëlqejnë leximet, interpretimet apo shkrimet me tema historike dhe t’i përfshijë mendimet e tyre në studimin përfundimtar. Në të gjithë botën e civilizuar Akademitë e Shkencave janë institucioni më autoritar për studime dhe botime të tilla dhe ky fakt nuk i ka penguar dhe as i pengon qytetarë apo studiues të tjerë, në mënyrë të pavarur, të paraqesin dhe botojnë shkrimet dhe studimet e tyre. Iu takon lexuesve të binden ose jo dhe të zgjedhin për të vërteta ato pohime, fakte apo konkluzione që ata i gjykojnë të drejta.

Ne lexuesit dhe dashamirësit e historisë presim nga grupi studimor i “Historisë së Shqiptarëve” të na sjellin dhe sqarojnë fakte, ngjarje, personazhe, veprime dhe dokumente historike, të na tregojnë çfarë, ku, kur dhe si ka ndodhur dhe të gjitha këto t’i shoqërojnë me prova historike, qoftë edhe të kundërta. Kështu pra, ne presim që ata të jenë më tepër një grup shkencor hulumtues “prokurorësh” se sa gjyqtarësh.

Pasi të na kenë treguar çfarë ka ndodhur dhe “provat” që dëshmojnë ndodhitë, atëherë mbetet në ndërgjegjen dhe moralin e secilit të bëjë gjykimet përkatëse. Ne nuk presim që ata të na thonë se “E. Hoxha ishte udhëheqësi i pagabueshëm i vendit”, por as se “E. Hoxha ishte fytyra më e zezë gjatë dhe pas luftës” (Ana Lalaj) apo se “Dominante për Hoxhën gjatë luftës ka qenë terrorizmi dhe demagogjia, lufta për të marrë pushtetin me dhunë e gjak dhe, pas luftës-diktatori komunist më i egër për ta mbajtur pushtetin” (U. Butka).

Po kështu, ne nuk presim prej tyre as përcaktimin e M. Frashërit si “Gjeniu i Kombit” por as si “armik i kombit”, apo përcaktimin e A. Zogut si “tiran, satrap, hajdut e tradhtar” apo si “politikani më i aftë e vizionar i historisë tonë”.

Na jepni faktet, ngjarjet dhe provat që i vërtetojnë ato dhe na lini t’i gjykojmë për ta marrë vetë “vendimin” në bazë të dijeve dhe moralit tonë. Na krijoni mundësinë ta njohim dhe përdorim historinë si mësim dhe jo si armë, sepse si armë mund të na shkaktojë edhe vetëvrasje.