Një burrë që kishte humbur prej 18 ditësh në një pyll australian është gjetur gjallë, pasi mbijetoi duke ngrënë kërpudha dhe duke pirë ujë lumenjsh.

Robert Weber, u pa për herë të fundit me qenin e tij, duke lënë një hotel në Kilkivan, Queensland, më 6 janar. Pasi humbi kontaktet me familjen, ai u shpall i zhdukur dhe autoritetet nisën kërkimet. Pas afro tre javësh, 58-vjeçari u gjet pranë një dige.

Policia tha se makina e Weber u “bllokua” në një rrugë të panjohur ku ai qëndroi në makinë për tre ditë, para se të mbaronte uji.

“Ai u largua në këmbë dhe humbi. Mbeti pranë një dige ku mbijetoi duke ngrënë kërpudha”, tha policia e Queensland në një deklaratë. Autoritetet shtuan se Weber u dërgua në spital ndërsa qeni i tij nuk është gjetur.