Vendimi i qeverisë që miraton kontratën e koncesionit për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës tashmë i publikuar në fletoren zyrtare ka marrë fuqi ligjore duke i hapur rrugë hapave të tjera drejt zbatimit të projektit.

Qeveria miratoi në datën 2 qershor kontratën e nënshkruar mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe bashkimit të kompanive Mabco Constructions Sa, Yda Insaat Sanayi Ve Ticaret Anonim Sirketi, 2A Group sh.p.k.

Nënshkrimi u bë më herët në fund të prillit kur u dhanë edhe detaje mbi kalendarin e zbatimit të projektit ku u nënvizua se punimet nisin brenda 14 muajsh. Gjatë kësaj kohe kompanive që fituan të drejtën e koncesionit përmes ofertës 104 milionë euro do t’ju duhet të sigurojnë dokumentacionin e nevojshëm nga autoritetet shqiptare për zbatimin e projektit.

Në garën për aeroportin e Vlorës morën pjesë dy kompani ku përveç asaj që u shpall fituese ishte edhe Alde Corporation LTD, një kompani e regjistruar në Londër, e orientuar në zhvillimin e projekteve në fushën e ndërtimin dhe real state, por nuk përmbushte asnjë nga kriteret teknike.

Aeroporti i Vlorës është i dyti në vend që jepet me koncesion sipas skemës së garantimit të trafikut pas dhënies së atij të Kukësit me të njëjtin kusht. Në transportin rrugor kjo skemë ishte aplikuar më herët me Rrugën e Kombit.

Referuar dokumenteve zyrtare në kohën kur u shpall gara , qeveria do të garantojë të ardhurat e munguara. Të ardhurat e garantuara në skenarin bazë për 10 vitet e para të operimit të jenë 9.6 milionë euro në vitin e katërt, 10.3 në vitin e pestë, 11.2 për të gjashtë , 12.1 për të shtatë e kështu me radhë me një kulmim prej 18.6 mln euro në vitin e trembëdhjetë nga nënshkrimi i kontratës. Në total të ardhurat e garantuara duhet te jenë rreth 138 milionë euro.

Të njëjtat dokumente nënvizonin se zona përreth ku do të ndërtohet Aeroporti i Vlorës pra në Akërni, do të ndryshojë në mënyrë drastike. Sipas Masterplanit ndër të tjera janë parashikuar një zonë sportive, një zonë e dedikuar për verë, hotele dhe resorte, një port i vogël i ri, një zonë rezidenciale dhe për agrikulturë, plazh dhe një zonë me pyje. Në pjesën tjetër ndodhet edhe zona e mbrojtur natyrore e Nartës dhe Vjosës.

Aeroporti i Vlorës shtrihet tek ish aeroporti ushtarak i Mifolit pranë fshatit Akërni, Novosele, Vlorë. Vendndodhja për aeroportin e ri gjendet pranë Lagunës së Nartës, Kriporja e Vlorës dhe lumit të Vjosës. Nga ana jugore ajo kufizohet me Lagunën e Nartës rreth 5 km në vijë ajrore peizazh i mbrojtur natyror. Nga ana perëndimore kufizohet me vijën bregdetare rreth 6.4 km larg në vijë ajrore.

Nga ana lindore rreth 200 metra larg ndodhën disa shtëpi të ndërtuara kohet e fundit pas mbylljes se aeroportit (vitet 98-99), ndërsa qendra e fshatit Akrëni ndodhet rreth 500 metra larg pikës më të afërt të perimetrit të zonës të ish-aeroportit të Mifolit. Rreth 3 kilometra larg në vijë ajrore në drejtimin juglindor ndodhen fushat e kripores. Nga ana veriore kufizohet me lumin e Vjosës 3.5. km në vijë ajrore, ndërsa derdhja e Vjosës ndodhet rreth 10 km larg. Vendndodhja e aeroportit ndodhet pranë Lagunës se Nartës dhe është pjesë e zonës Peizazh i Mbrojtur Vjosë-Narte Kategoria e Pestë./N.Maho