Rafael Nadal është rikthyer dhe kaloi edhe Covid-in tani është pranë rekordit: Pata menduar edhe lamtumirën, por tani ndihem sërish i gjallë

Rafael Nadal është kualifikuar për në finale të Australian Open, pasi mundi 3-1 italianin Matteo Berretini, 6-3, 6-2, 3-6, 6-3. Tani ka shansin e artë të arrijë rekordin ne 21 Slam-eve.

Slam-i i fundit është një kujtim i hidhur për të, ai i humbjes në gjysmëfinalen e Roland Garrosit ndaj Novak Gjokoviçit. Që atëherë Rafael Nadal kishte luajtur një ndeshje në Uashington, por këmba e majtë e ndali sërish. Gjatë një trajtimi në fund të gushtit bëri që spanjolli të mendonte më të keqen. “Kushedi a do kthehem të luaj, më duhet kohë”, – tha atëherë Nadal.

Por Nadal është rikthyer, ai kaloi edhe Covid-in. “Kanë qenë disa muaj të vështirë, por jo shumë krahasuar me humbjet për shkak të COVID-19. Çdo ditë ishte një problem me këmbën dhe dyshimet do të vazhdojnë për pjesën e mbetur të karrierës sime. Një muaj e gjysmë më parë nuk e dija nëse do të kthehesha dhe ja ku jam. Kam pasur shumë biseda me familjen time, ka qenë opsion edhe lamtumira”.

Koha fluturoi dhe Nadal fluturoi drejt Melburnit për të luajtur Atp 250 para Australian Open, të vetmin Slam që e ka fituar vetëm një herë në karrierë. Dhe ndeshje pas ndeshjeje ka kaluar në finale, duke mundur Berretinin në gjysmëfinale. Pas fitores shpërtheu në lot gëzimi.

Sa i përket ndeshjes, Rafa ishte krenar për lojën dhe pavarësisht se vuajti në të tretin, arriti të qëndronte i palëkundur në setin e katërt dhe të fundit për të mbyllur ndeshjen.

“Dy setet e para kanë qenë nga më të mirat në një kohë të gjatë. Vuajta dhe luftova, që në fund është e vetmja mënyrë për të qenë aty ku unë jam sot. Do të thotë shumë të jesh sërish në finale, ndihem sërish i gjallë.”

Të dielën Nadal mund të bëhet tenisti i parë në botë me 21 tituj “Grand Slam”, duke kaluar Roxher Federer dhe Novak Gjokoviç.

Për mundësinë e fitimit të Grand Slam-it të 21-të nga një lojtar tenisi për herë të parë në histori, Nadal tregoi kujdes: “Gjëja më e rëndësishme është të fitosh Australian Open. Kam zhvilluar finale të shkëlqyera me Djokovicin dhe Federerin, tani kam një shans tjetër. Ajo që më bën të lumtur është të bëj atë që më pëlqen, të luaj tenis.”