Nga Dritan Hila

Nuk mjafton Berisha, por tashmë Lulzim Bashës i është sulur edhe Ilir Meta. Ky i fundit, megjithëse nuk shquhet për batuta dhe as elokuencë, do të mbahet mend për thënien “Luli të gënjen edhe për orën”. Ishte koha kur nuk qarkullonte ajër i mirë mes tyre.

Pastaj, siç e ka politika e vjetër, u pajtua prapë me Bashën, u grind, u pajtua dhe tani është rishtas i idhnuar.

Te Meta dhe kasta e vjetër e tranzicionit janë të njohura piruetat e pa princip, pa moral dhe pa ideologji që kanë bërë me njëri-tjetrin në 30 vjet. I kanë bërë aq shumë sa ia kanë shpifur shqiptarëve që kanë kuptuar se gjithë halli i tyre është si ndahet paraja e pushtetit.

Mirëpo në zhvillimet e fundit ka diçka që i ka djegur Metës. Dhe kjo ka lidhje me ndryshimin me 180 gradë të Bashës që i vuri vulën në 8 janar.

Në këtë datë shqiptarët panë që Lulzim Basha nuk është më kukulla e Berishës, përkundrazi, nuk e lëshoi godinën; nuk u tërhoq dhe turpëroi Sali Berishën dhe ndjekësit e tij duke i detyruar të iknin me bisht në shalë nga oborri i PD. Akuzat pse përdori dhunë apo pse blindoi dyert, janë të kuptueshme nga ata që u turpëruan. Sikurse ishte normale që një parti që sulmohet në selinë e saj do të mbrohet.

Madje do të ishte e udhës që nga fillimi i sulmit mbi godinë të thërritej policia, siç do të kishte bërë çdo shtëpi që i hyn dikush me zor, lëre pastaj institucion. Mbase Saliu dhe Iliri donin edhe ndonjë viktimë, por kjo nuk iu dha. Tani ata e kanë inatin me Bashën dhe po përpiqen që ta bëjnë qesharak. Një dorë në këtë fushë po ia u jep edhe Rama.

Por duan apo jo, në 8 janar ne pamë lindjen e një politikani si Basha dhe rrënimin e një tjetri si Berisha. Në 4 orë Basha bëri atë që nuk e kishte bërë asnjë paraardhës në politikën shqiptare: e nxori për leckash Berishën nga oborri i PD dhe politika; nuk lëshoi institucionin duke ndenjur vetë brenda tij, ndryshe nga këta që tallen me të dhe trimërinë e kanë treguar vetëm kur kanë pasur nën urdhra dy batalione me policë. E bëri me ndihmën e amerikanëve? Mbase! Por edhe Berisha aq i fryrë me ndihmën e amerikanëve u bë dhe i mbrojturi i tyre ka qenë edhe kur ka bërë zullume dhe në polici ka harruar emrin e babës.

Edhe Ilir Meta ka qenë dhe ka bërë si i fortë kur ka pasur pushtetin dhe nën fustanin e PS apo pantallonat e Berishës.

Talljet duke përmendur humbjet e Bashës nuk shkojnë, pasi Basha vërtet mund të jetë një humbës por deri tani humbjet në masën më të madhe kanë ardhur për shkak të Berishës dhe në zgjedhjet e fundit një dorë ia dha edhe Meta me sjelljet e çekuilibruara zyrave e fushave duke shtyrë si halabak policët bashkiakë apo kërkuar bombardimin nga amerikanët në Malin me Gropa. Se çfarë stofe ka Basha, do ta shohim tani e mbrapa.

Ndaj Meta le ta lërë fushën e humorit se nuk i shkon. Le të mendojë se çfarë do bëjë pas ikjes nga presidenca. Kambanat bien edhe për të./dritare.net