Kalimi i detyrës nga Imzot Frendo në një ceremoni në katedralen e “Shën Palit”

Arqipeshkvi i Tiranës e Durrësit, imzot Arjan Dodaj mori detyrën për drejtimin e kësaj dioqeze të kishës katolike gjatë një ceremonie në katedralen e “Shën Palit” në Tiranë.  Imzot George Frendo para se t’i kalonte postin Imzot Dodajt në fjalën e tij përmbyllëse të misionit 25-vjeçar në Shqipëri, mes emocionesh theksoi se ka gjetur mirësi dhe respekt në vendin tonë.

“Gjatë 25 viteve që kam shërbyer në Shqipëri nuk më ka ardhur kurrë keq që kam ardhur si misionar në këtë vend. Gjithmonë e kam dashur Shqipërinë dhe shqiptarët. Te ky popull kam gjetur dashuri dhe respekt më shumë se sa meritoja”.

Frendo ndër të tjera ndihet i lumtur që drejtimin e kësaj dioqeze po ia kalon Imzot Arjan Dodajt pas disa vitesh bashkëpunimi me njëri-tjetrin.

“Shumë i dashur vëlla, për më shumë se 4 vjet kemi punuar shumë ngushtë së bashku. Emri yt do të përmendet në meshë çdo ditë dhe kjo do të thotë se nuk do të jesh vetëm në zbatimin e misionit tënd”.

Vetë Imzot Arjan Dodaj në fjalën e tij falenderoi Papa Françeskun që ia besoi këtë detyrë fisnike dhe të rëndësishme.

“Në momentin kur po filloj shërbimin tim baritor në kishën e hyjit në Tiranë-Durrës, fjala profetike e leximit të parë më ngushëllon e mbështet. Duke menduar që vij si arqipeshkëvi i tretë pas rënies së diktaturës, ndihem thellësisht u lidhur në fe e në dëgjesë me Papa Françeskun që ka dashur të më besojë këtë shërbim duke më manifestuar gjithë mbështetjen dhe afrimitetin e tij edhe këto ditë”.

Të pranishëm në marrjen e detyrës së Imzot Arjan Dodajt ishin të gjithë krerët e komuniteteve fetare të vendit, si dhe të gjithë liderët e politikës