Ka shkaktuar shqetësim në opinionin publik spanjoll rasti i një infermiere që është diagnostikuar me COVID-19, një ditë pasi kishte marrë vaksinën.

Infermierja, sipas raportimit të gazetës El Pais, ishte pjesë pikërisht e grupit që duhet të vaksinonte të moshuarit e një azili në qytetin e Lleidas, në Katalonjë.

Koleget e saj janë tashmë në izolim paraprak, ashtu si dhe 66 të moshuarit e rezidencës, që u vaksinuan ditën e së dielës.

Katalonja filloi pikërisht atë ditë vaksinimet me 802 personat e para, më së shumti personel mjekësor dhe persona të moshuara, veçanërisht të rrezikuara nga pasojat e virusit pandemik.

Ja çfarë ka ndodhur

Para së gjithash duhet sqaruar se mbrojtja nga koronavirusi në 7 ditët e para të dozës të Pfizer është zero. Mbrojtja rritet me kalimin e kohës dhe ke mbrojtje të “plotë” pas dozës së dytë që bëhet në një distancë prej 21 ditësh nga e para. Pra, në ditët e para të vaksinës nuk je i mbrojtur.

Por ka edhe më shumë. Infermierja ka dalë pozitive 24 orë pas vaksinës: kjo do të thotë se është infektuar 1-2 ditë përpara imunizimit. Pra, kur është vaksinuar ishte e infektuar tashmë dhe vaksina (që është parandaluese) nuk mund ti bënte asgjë.

Rasti – siç shpjegon Silvio Garattini, president i Institutit Mario Negri — “nuk duhet të alarmojë. Vaksina Pfizer, e vetmja që po shpërndahet për momentin në Europë, ka nevojë për dy doza që te jetë efikase. E para dhe e dyta pas 21 ditësh. Kështu gruaja ka marrë vetëm dozën e parë dhe është e qartë se nuk e ka zhvilluar ende imunitetin. Nga dita e dozës së parë duhet të kalojnë 28 ditë për të qenë i qetë”. Rekomandimi është që gjatë kësaj kohe të mbash të njëjtat masa, duke nisur që nga maska.