Inter mposht Sherif Tiraspolin me rezultatin 3-1, dhe rikthehet në lojë për kualifikimin në grupin D.

Ekipi i Sherifit ndodhej jo pa surprizë në krye të renditjes pas fitoreve me Shaktar dhe Real Madrid, por moldavët sot nuk shprehën lojën që i karakterizon.

Pas disa rasteve, Inter kaloi në avantazh me bomberin Dzeko në minutën 34, me Interin që nuk dyfishin dot gjatë pjesës së parë.

Ekipi i Tiraspolit gjendet gjithsesi në një periudhë të artë të historisë së saj, dhe luksemburgezi Till arrin të shënoi me goditje dënimi në minutën 54, pasi kishte gjunjëzuar në sekondat e fundit “Los Blancos” në Bernabeu.

Por teksa tek tifozët e Interit po riktheheshin makthet e sezoneve të fundit në Champions, Arturo Vidal shkriu tensionin në San Siro me golin e tij në të 58 -ën. Interi zhbllokohet duke pasur raste të shumta, dhe trefishon me mbrojtësin De Vrij dhjetë minuta më pas.

Interi ngjitet në kuotën e 4 pikëve, ndërkohë që Real Madrid shpartalloi 0-5 Shaktarin në Ukrainë, duke marrë kreun e renditjes me 6 pikë, po aq sa Sheriff, në një grup tashmë të hapur.