Interi ka fituar 2-3 në Gjermani ndaj Borusia Mënshengladbah në xhiron e 5-të të ndeshjeve në grupet e Ligës së Kampionëve. Një fitore që e mban ekipin zikaltër me shpresë për një kualifikim të mundshëm për në fazën e 1/8-ave. Grupi B është komplikuar së tepërmi pas humbjes së Realit në Ukrainë dhe gjithçka do të vendoset në ndeshjet e fundit.

Italianët kaluan të parët në avantazh me Darmian, por në fundin e pjesës së parë Borusia barazoi me Plea. Në pjesën e dytë ishte Romelu Lukaku që realizoi dy herë në portën e gjermanëve. Plea shkurtoi diferencën e golave në minutën e 76-të dhe më pas shënoi edhe një gol tjetër, që VAR-i e anuloi për pozicion jashtë loje. Dy skuadrat që do të lualifikohen në këtë grup do të përcaktohen javën e ardhshme, kur Interi pret Shakhtarin dhe Reali Borusian.

Goli i dytë i Lukakut. Gazeta Si, 1 dhjetor 2020

Hapi i parë është hedhur gjithsesi nga skuadra e Kontes, që duhet të fitojë në “San Siro” kundër Shakhtarit, duke mbajtur një vesh në Madrid, ku as Reali dhe as Borusia nuk mund të bëjnë llogari dhe të dyja skuadrat do të kërkojnë fitoren. Njeriu i ndeshjes për Interin në Gjermani ishte pa dyshim Lukaku. Reali, pa Ramosin edhe këtë herë, pësoi 2 gola në pjesën e dytë të ndeshjes me Shakhtarin, duke ia komplikuar së tepërmi punën vetes dhe tani duhet të mundë me çdo kusht Borusian.

Ka fituar minimalisht Liverpuli ndaj Ajaksit, 1-0, duke siguruar vendin e parë në grup, kurse Atalanta e Berat Gjimshitit ka hedhur një hap të gabuar, pasi nuk shkoi më shumë se barazimi në shtëpi ndaj danezët të Midtjylandit. Atletiko Madrid dhe Bajern Mynih barazuan 1-1, ndërsa Mançester Siti barazoi pa gola me Porton.

Rezultatet e ndeshjeve të sotme
Lokomotiv M.-Salcburg 1-3
Shakhtar D.-Real Madrid 2-0
Atalanta-Midtjyland 1-1
Atletiko M.-Bajern M. 1-1
Borusia M.-Inter 2-3
Porto-Mançester Siti 0-0
Liverpul-Ajaks 1-0
O.Marsejë-Olimpiakos 2-1