Ishte një ditë shiu në Shkodër. Duke ecur në rrugën e këmbësorve në rrugën kryesore të qytetit, grupe burrash, dukshëm nga Lindja e Mesme ishin të ulur poshtë pemëve, me telefona në dorë. Të veshur mirë por me pamje të dëshpëruar, ata i ngrinin sytë shumë shpesh, duke vëzhguar kalimtarët, e më pas sërish në telefonin e tyre.

Ata po qendronin ulur aty në pritje të dikujt që do t’i marrë dhe do t’i nisë drejt një jetë më të mirë në një vend të Bashkimit Evropian.

Gjatë muajve të fundit, policia shqiptare ka ndaluar dhjetra individë të përfshirë në transportin e refugjatëve nga vende të treta nga Greqia për në Kosovë ose në Mal të Zi, me shpresën se do t’i kalojnë më pas në një vend evropian. Dhe pavarësisht kësaj, flukset me emigrant nuk kanë pushuar.

Exit News bisedoi me një prej personave të përfshirë në këtë aktivitet, i cili kohët e fundit u kap nga policia. Pa asnjë dëshirë për të folur me autoritetet, ai foli me Exit, në kushtet e anonimatit, pasi u lidh me Exit përmes një linje anonime dhe një telefoni një përdorimësh.

Me fytyrën e mbuluar nga një mask dhe me një kapele të zezë në kohë, ai fliste me një dialekt jugor. Ai u prezantua vetëm si “A”, dhe shpjegoi se si funksionon skema e transportit të emigrantëve.

Pjesa më e madhe e emigrantëve janë të pasur ose në gjendje të mirë ekonomike, burra të moshës 20 deri në 30 vjeç. Ka edhe familje mes tyre. Arsyeja pse janë larguar nga shtëpitë e tyre është kryesisht për shkak të panqëndrueshmërisë politike ose presionit të qeverisë që e bënë të pamundur për ta të jetojnë aty, të zhvillojnë biznese, ose të kenë ndonjë të ardhme.

Të shtyrë nga dëshpërimi, ata lidhen me një agjensi në Athinë, kundrejt një pagese të majme, me premtimin për të kaluar në një vend evropian, kryesisht në Hungari.

Kur arrijnë marrëveshjen me agjensinë, ata transportohen për në kufirin Greqi-Shqipëri, të cilin e kalojnë me këmbë për shkak të terrenit të vështirë.

Me të gjithë grupin e emigrantëve ndodhet edhe dikush i dërguar nga agjensia që kontrollon nëse çdo gjë po shkon mirë, sipas planit. Ky individ dërgon vendndodhjen përmes WhatsApp dhe grupi e ndjek. Kjo pjesë e udhëtimit mund të shkojë edhe disa ditë dhe gjatë kësaj kohe ata janë të ekspozuar ndaj diellit të nxehtë, shiut të rrëmbyshëm e stuhisë.

Pasi arrijnë në vendin e caktuar, ata merren nga një person tjeter me makinë. Makina e preferuar është një furgon i marrë me qira nga një shqiptar me letërnjoftim fallso. Mjeti merret me qira për një ditë dhe zakonisht shoqërohet nga një ose dy makina të tjera, të cilat udhëtojnë përpara për të kontrolluar rrugën për policë.

Emigrantët ngarkohen në një kamion dhe i shpërndahet uji dhe ushqim, si brioshe dhe ndonjë sanduiç. Ata fotografohen dhe foto i dërgohet agjensisë në Greqi për të konfirmuar se kjo pjesë e udhëtimit është e kompletuar dhe fillon pjesa tjetër.

Më pas fillon udhëtimi drejt Tiranës. Burimi tha se ka marrëveshje me policët e qyteteve që të lejojnë kalimin pa probleme në Korcë dhe në pikat e tjera, kundrejt pagesës. Ai shpjegon se personat e kapur nga policia janë ata që nuk kanë paguar detyrimin e tyre drejt autoriteteve.

“Ata që kapen janë ata që kanë menduar se mund të kalojnë pa paguar tek policia. Dhe policia duhet të duket sikur po punon dhe i arreston disa prej tyre”, shprehet burimi.

Në rast se ka pika kontrolli në zonë, të cilat nuk kontrollohen nga policët me të cilët bashkëpunon, transportuesit kanë një metodë tjetër të shmangies së policisë.

Ata i zbresin emigrantët një kilometër përpara pikës së kontrollit dhe i drejtojnë drejt pyllit ose kodrave. Transportuesi i jep kamionit drejt tyre, kalon pikën e kontrollit me makinë bosh dhe më pas ndalon disa kilometra më poshtë, i dërgon vendndodhjen me WhasApp dhe pret për ata që të vijnë. I ngarkon në kamion dhe niset për në destinacion.

Kur vijnë në Tiranë, emigratët zbresin në një qendër të qytetit. Transportuesi i bënë video, dhe tregon se ata janë mirë me shëndet dhe të kënaqur. Video dhe vendndodhja e tyre i niset agjensisë në Greqi, e cila kryen pagesën përmes një pike Western Union, ose një pike të ngjashme.

Transportuesit gjejnë një djalë të ri — një njeri çfarëdo — e paguajnë atë 6000 lekë që të shkojë dhe të tërheqë paratë nga Western Union me emrin e tyre.

Emigrantët instruktohen të presin aty ku zbritën, derisa një person tjetër të vij për t’i marrë. Ata dërgohen në një vend të sigurtë, në Laprakë. Aty ata qendrojnë disa ditë, lahen, ushqehen, flejnë, dhe marrin veten për të vazhduar rrugën e tyre.

Nga aty, e njëjta rutinë përsëritet dhe ata transportohen në veri të vendit, në Kukës ose në Shkodër. Më pas kalojnë në këmbë kufirin me Kosovën ose me Malin e Zi.

Tani për tani, rruga e Kosovës është ajo më e preferuara. Ata shkojnë përmes Morinës drejt Prishtinës, dhe më pas Beogradit, e në fund në kufi me Hungarinë, ku ata lihen të vazhdojnë të vetëm rrugën.

Burimi i tha Exit News se ata fitojnë 150 euro për çdo emigrantë, pasi heqin koston e naftës, makinës me qira, pagesës së shoferit, rryshfetit, dhe ushqimin e emigrantëve.

Sigurisht, çmimi mund të jetë më i lartë nëse grupi që udhëton është më i vogël.

“Nëse ata janë dy ose një, ata paguajnë më shumë. Nëse janë grup me 10 ose 15 persona paguajnë më pak”, tregon burimi.

Ai shpjegoi se metodat e transportit po ndryshojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe ata po kërkojnë rrugë të tjera për të vazhduar skemën e tyre pa ju dashur të paguajnë policinë ose të kapen prejt yre. Aktualisht, rrugë të reja po provohen, dhe mënyra të tjera transporti. Burimi nuk pranon të tregojë se cilat janë rrugët e reja që po testohen por shprehet se janë më të gjata.

Çfarë ndodh me emigrantët që kapen nga policia?

Emigrantët që kapen nga policia merren në pyetje dhe më pas kthehen pas në kufirin me Greqinë. “Por ata që kthehen pas, nisën sërish për Shqipëri brenda 24 orëve, nuk dorëzohen”, u shpreh burimi.

Por për transportuesit, kush janë ata?

“Ata janë djem normal. Nuk kanë punë, para, dhe nuk mund të jetojnë me 200 apo 300 euro në muaj. Ne kemi familje, prindër, fëmijë që duhet të mbajmë. Këto emigratë thjesht do të gjejnë një mënyrë tjetër, nëse nuk do të ishim ne do të ishte dikush tjetër.

Ata vijnë me ne, kanë përkujdesje, trajtohen mirë, respektohen më shumë se sa në disa rrugë të tjera. Është një shërbim. Ata shkojnë në BE, ne marrim paratë për të ushqyer familjet tona”, tha ai.