Ajo që dihet deri tani për skandalin e daljes së të dhënave personale është vetëm maja e ajsbergut; përfituesit e mëdhenj janë jashtë Shqipërisë, – shkruan faqja Priza.al. A është Bajram Muça dhe institucionet e mikrofinancës, ‘dora’ pas skandalit të ‘exelit’ – pyet kjo faqe. Më poshtë, pjesë nga shkrimi:

Këto ditë në agjencitë ligjzbatuese të vendit, ka pasur interesim dhe presion pozitiv nga diplomatë të huaj për eliminimin sa më shpejt të pasojave, të skandalit me të dhënat personale.

Dalja e të dhënave sensitive, sidomos e agjentëve dhe e nëpunësve të agjencive ligjzbatuese dhe atyre të inteligjencës, cenon jo vetëm sigurinë kombëtare, por edhe projekte që Shqipëria i përfiton si një vend anëtar i NATO-s në lidhje me sigurinë dhe inteligjencën.

Burime nga Prokuroria e Tiranës, i thanë “Priza.al” se: “edhe pse këto të dhëna në dukje janë vjedhur për qëllime banale, pas kësaj skeme janë individë dhe institucione që për synim kanë pasur të tjera objektiva”.

Agjencitë e inteligjencës në vend ishin njoftuar prej disa kohësh prej partnerëve të huaj për atë që po ndodhte. Sipas informacioneve, disa institucione po pastronin para me origjinë të dyshimtë, por gjithashtu po krijonin terren për mashtrime që përfshijnë një numër të madh shtetasish shqiptarë, me përmasa më të mëdha se piramidat e ’97.

Këto institucione financiare dhe mikrofinanciare, po bëjnë grumbullimin e të dhënave sensitive dhe personale nga institucione shtetërore, me qëllim krijimin e një rrjeti të gjerë kredidhëniesh formale ose false, për të justifikuar futjen e parave të shumta nga jashtë me origjinë të dyshimtë; gjurmët të çojnë në banka ruse”.

Për muaj me radhë, “Priza.al” ka raportuar se si institucione të mikrofinancës në vend ose të njohura si IFJB, kanë ngritur prej vitesh një skemë mashtrimi me kredi dhe mikrokredi, të cilat kishin “kredhur” dhe “groposur” me mijëra individë dhe familje shqiptare herë të mashtruara e herë të painformuara.

Institucione të caktuara si “Fondi Besa”, “Iute Credit”, “NOA” dhe shumë të tjera, mashtrojnë me mikrokreditë, dhe më pas kryejnë zhvatjen e pronave të patundshme.

Kush janë 4 të arrestuarit dhe kujt i shërbenin

Dy persona të arrestuar Endri Ikonomi, pronari i “PRO 3VT” sh.p.k, institucion financiar mikrokredie dhe Klodian Sota, pronar i “SMART COLLECTION” sh.p.k., kompani “Mbledhje detyrimesh/kredish të këqija për bankat e nivelit të dytë dhe të trete…”, mendohet se kanë qarkulluar listën e pagave të qytetarëve midis njëri-tjetrit, për të gjetur personat me kredi problematike në bankat e nivelit të dytë dhe institucione të tjera financiare jobankare.

Sota i orientonte kredimarrësit te Ikonomi, për t’u zgjidhur problemet me kreditë. Më pas Ikonomi, mendohet se u ofronte kredi të reja me kushtet e njëjta të kredive të mëparshme.

Dy të parët ishin specialistë IT-je, Eni Qirjako dhe Andi Agaraj, ndërsa Klodian Sota dhe Endi Ikonomi, i nxirrnin këto të dhëna nga AKSHI dhe më pas i shisnin.

Dy prej tyre akuzohen se shpërdoruan detyrën dhe dy të tjerët se ushtruan korrupsion duke blerë të dhënat personale të 650 mijë qytetarëve për vetëm 20-30 mijë lekë të reja. Nga hetimet rezulton se Eni Qirjako në 6 episode, ia ka kaluar përmes e-mailit zyrtar pagat e shqiptarëve Agarait, ndërsa ky i fundit ia shiti për 20 mije lekë Sotës dhe Ikonomit.

Kush janë rusët që interesohen për të dhënat personale të shqiptarëve

Një nga të arrestuarit e policisë për skandalin e rrjedhjes së të dhënave, Endri Ikonomi, rezulton të punojë për kompaninë e një miliarderi rus në Shqipëri, e quajtur “Credit 2 All” (Digital Finance International SHPK), që sipas të dhënave të QKB-së, është e specializuar në konsulencë financiare dhe në produktet elektronike në këtë fushë.

Biznesmeni 57-vjeçar rus Oleg Viktorovich Boyko, raportohet të ketë një pasuri prej 1.3 miliardë dollarësh, sipas “Forbes” dhe përshkruhet në faqen e tij të internetit si, një nga 100 biznesmenët më të pasur rus, investitor ndërkombëtar prej 30 vitesh në industrinë bankare dhe shërbimet digjitale financiare dhe drejtues i Finstar Financial Group.

Një raport inteligjence i Senatit të SHBA-ve, e citon oligarkun rus, Oleg Boyko, si person me lidhje në qeverinë ruse, inteligjencën dhe shërbimet e sigurisë së Rusisë, si dhe në lidhje me krimin e organizuar.

Priza shkruan se shtetasi Bajram Muça dhe institucionet e mikrofinances janë dora pas skandalit. Muça njihet si mik i presidentit Meta.