Ish- trupëroja i Sali Berishës, Izet Haxhia, i dënuar për vrasjen e Azem Hajdarit, ka kallëzuar penalisht në SPAK, drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismailin.

Haxhia ka shpjeguar përmes një letre publike edhe arsyet e këtij denoncimi.

Sipas ish- truprojës së Sali Berishës, ai po torturohet në burg dhe se drejtori Agim Ismaili, ka ushtruar presion psikologjik mbi të, ku e kanë futur në izolim dhe e kanë keqtrajtuar.

Haxhia shton se ka rënë në një gjendje të rëndë psikologjike dhe se keqtrajtimi po e dërgon atë në vetëvrasje.

Letra e plotë:

“Po hakmerret në mënyrë primitive sipas meje, për arsyet e tij personale që unë i kam deklaruar botërisht. Në konventën ndërkombëtare të torturës, izolimi cilësohet si tortura më e rëndë. Si pasojë e këtij izolimi, gjendja ime psikologjike po rëndohet përditë e më shumë, gjendje e cila mund të agravojë deri në akte të rënda ndaj shëndetit tim fizik duke dëmtuar vetëveten. Siduket ky është qëllimi i këtij izolimi antinjerëzor dhe anti-ligjor. Ky izolim i jashtëligjshëm po ushtrohet në mënyrë më të egër nga autoritetet i burgut me një qarkore të lëshuar nga Drejtoria e Burgjeve dhe e përsëritur nga Agim Ismaili, drejtor i tanishëm i Burgjeve. Kam kërkuar arsyen e këtij izolimi të paligjshëm dhe më është thënë në mënyrë shkresore se unë qenkam një person i rrezikshëm dhe prandaj mbahem në izolim të egër. Unë nuk kam qenë asnjëherë person me rrezikshmëri, epitet të cilin ma ka vendosur politika dhe mediat në porosi të politikës. Mendoj që ky izolim është anti-njerëzor, kufizimi i të drejtës së komunikimit, provokimet e vazhdueshme, dhuna psikologjike, sjellja terroriste dhe harbute e Forcave Operacionale të Drejtorisë. Kam kërkuar shumë herë nga autoritetet e burgut që të hiqet izolimi, përgjigjet janë qenë negative, duke u justifikuar se është një urdhër i drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili i cili nuk denjon as t’i përgjigjet kërkesës sime të ligjshme për heqjen e këtij izolimi i cili po më shkarkon fizikisht dhe mendërisht,”– shkruhet ndër të tjera në letrën e Izet Haxhisë.

Izet Haxhia është dënuar në mungesë me 25 vite burg për vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdari. Pas 19 vitesh në mungesë, Haxhia është rikthyer në Shqipëri duke kërkuar rihapjen e dosjes, pasi ai kurrë nuk i ka pranuar akuzat e ekzekutimit të deputetit Azem Hajdarit në vitin 1998.