Në 19 dhjetor 2022, Ora News që është konfiskuar nga shtetit si aset kriminal, nisi të sulmonte prokurorin e Tiranës, Sokol Malajn. Televizioni i konfiskuar me vendim gjykate, por që çuditërisht vijon të përdoret nga Ylli Ndroqi (Xhemail Pasmaçiu) për interesat e tij kriminale, shtronte pyetjen se pse po vononte Vetingu për Sokol Malajn.

Po pse Ylli Ndroqit i ‘digjte barku’ vallë për vonesën e Vetingut pikërisht për Sokol Malajn, kur në fakt janë rreth 200 prokurorë dhe gjyqtarë që presin të dalin para Vetingut? Për interes publik, për të luftuar korrupsionin apo për hallet e tij?

Prapaskena bëri një verifikim të vendimeve të prokurorit Sokol Malaj gjatë muajve të fundit. Ndër të tjera, Malaj kishte vendosur rrëzimin e një kallëzimi penal të Ylli Ndroqiit kundër ekspertëve të drejtësisë, të cilët kishin certifikuar mbi 20 pasuri të Ylli Ndroqi si pasuri të pajustifikuara me burime të ligjshme, pra pasuritë ishin produkt i aktivitetit kriminal të Ndroqit si trafikant ndërkombëtar droge.

Ekspertët që nuk pranuan të korruptoheshin nga Ndroqi me para të pista në këmbim të pastrimit të pasurisë së tij nga njollat e drogës, u kallëzuan penalisht. Sokol Malaj vendosi mosfillim të procedimit penal të ekspertëve, pasi ekspertiza e tyre ishte certifikuar me vendime gjykate.

Në shenjë hakmarrje, Ylli Ndroqi nisi sulmin me dyfekun e tij mediatik të drogës ndaj prokurorit. Është një rast tipik që SPAK duhet të nisë hetimet për shantazh dhe ndikim të paligjshëm nga një grup kriminal i kamufluar si media.

Rasti me KLSH-në

Deri në tetor 2022, Ora News i lëpihej dhe i bënte fresk KLSH-së me lajme dhe kronika, ku vinte në pah veprimtarinë auditiese të KLSH-së, konstatimin e abuzimeve me paratë dhe pasuritë publike etj.

Pati një heshtje disajavore dhe më pas një sulm vulgar me lajme dhe kronika aq mediokre, saqë asnjë gazetar që i ka mbetur në stanin e drogës, nuk merrte përsipër t’i vinte emrin sepse i vinte turp.

Çfarë ndodhi që deri në tetor 2022 Ylli Ndroqi ishte gati të fshinte edhe pluhurin e xhamave të KLSH-së me kronika lëpirëse dhe pas 3 nëntorit 2022 i lëshoi mikrofonët e fundit që i kanë mbetur, gjoja sikur po luftonte korrupsionin?

Një trafikant droge, me dy emra, në listën e zezë të SHBA dhe me pasuri të konfiskuara, do të bëjë shantazh me gazetari!

Kanë ndodhur dy gjëra.

Në 3 nëntor 2022, Gjykata e Posaçme i konfiskoi Ylli Ndroqit pasuritë. Ndroqi mendonte se duke iu lëpirë KLSH-së, ky institucion do t’i shpëtonte ndonjë pasuri nga konfiskimi. Një marrëzi e paprecedentë dhe e paimagjinueshme.

Së dyti, KLSH-ja ka refuzuar prerë kërkesat korruptive të Ylli Ndroqit, i cili duke u paraqitur si ushtar i Ilir Metës, mendonte se do të përdorte institucionin shtetëror për të vendosur gjoba.

Dhe meqë jemi tek KLSH, Ylli drogës nuk do të mundë kurrë t’i vendosë gjobë KLSH-së dhe as ta përdorë për gjoba. Le t’i rikthehet edhe një herë fallit me letra, nuskave dhe si shofer i kamioni, por KLSH-së kurrë nuk do të arrijë t’i vendosë gjobë. As ai dhe as miku i tij pas kuintave.

Rasti me AKSHI-n

Ditët e fundit, Ylli Ndroqi po sulmon me kronika banale AKSHI-n dhe kompaninë Spot Communicatiuons’ të Theodhoro Çamit, duke ngritur si shqetësim reklamimin e portalit e-Albania dhe dështimin para sulmeve kibernetike.

Po pse vërtetë mund të shqetësohet një stan droge për sigurinë kibernetike?

Halli i Ndroqit nuk është siguria kibernetike, por të marrë reklamimin e portalit e-Albania. Përdor TV e konfiskuar për të vendosur gjobë, pra për të marrë reklamë.

Kemi të bëjmë me shantazh banal dhe të lexueshëm për palçkë.

Rasti Veliaj

Mandatin e parë të Erion Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës, Ylli Ndroqi ishte një nga klientët kryesorë të Veliajt. Ndroqi merrte leje ndërtimi dhe ua shiste biznesmenëve të ndryshëm.

Ishte më shumë se sa sekser. Nën patronazhimin e bosit të tij Ilir Meta, Ndroqi kishte hyrë si zyrë tarifash korruptive mes Bashkisë së Tiranës dhe palëve të treta.

Një pjesë e lejeve të ndërtimit dhe tenderave të Bashkisë Tiranë i ndante trafikanti i drogës Ylli Ndroqi.

Nga ana tjetër, stani mediatik i drogës dhe i parave të pista Ora News komandohej me pult nga zyrat e Bashkisë së Tiranës.

Kur Edi Rama largoi Ilir Metën nga pushteti, Veliaj dhe kompanitë private e panë të panevojshme që në mes të mbanin ‘taksën’ Ylli Ndroqi.

Kur Ylli Ndroqi e pa veten jashtë sofrës së Bashkisë së Tiranës, nisi të ‘luftonte korrupsionin’ në Bashkinë e Tiranës.

Mesazhet private me Veliaj që publikoi Ndroqi, një akt i ulët, nuk ishin gjë tjetër veçse tregonin prishjen në pazare.

“Kush më njeh, e di si dritë e diellit që trafikantët e kaubojsat as i honeps, as i qas, e aq më pak, as më vënë dot gjobë. Kjo vlen për të gjithë, edhe për ata me dy emra që vënë gjoba me maska ekranesh. Ta harrojnë! Jam zgjedhur nga shumica e popullit & u shërbej veç atyre!’, shkruante Veliaj.

Kulmi i hipokrizisë arriti kur Ndroqi futi në lojë edhe emra gazetarësh, duke e kamufluar prishjen në pazare me Veliajn, me gjoja mbrojtjen e gazetarëve të tij, të cilët i ka përdorur brutalisht për interesat financiare private.

Janë thjeshtë disa shembujt e fundit se si një trafikant ndërkombëtar droge ka përdorur në mënyrë të paskrupullt një media, jo vetëm për t’i shpëtuar veprimit të ligjit, por për shantazh dhe gjobëvënie ndaj zyrtarëve të shtetit, prokurorëve dhe gjyqtarëve, biznesmenëve të ndryshëm dhe ndaj çdo subjekti që e ka menduar se mund të zhvatë diçka.

Prapaskena ka indentifikuar deri tani 79 raste kur Ora News është përdorur nga Ylli Ndroqi për shantazh kundër institucioneve, zyrtarëve të shtetit, kompanive dhe individëve për t’i zhvatur. Vijon…/ Prapaskena