Esse nga Fatbardh AMURSI

_____

Ndryshe nga shumë shkrimtarë e poetë, që, e braktisën provincën pa kthim, duke kërkuar një jetë më të mirë në Tiranë apo në kryeqytetet e botës, pak syresh nuk e “tradhtuan” vendlindjen, duke më kujtuar dramaturgun Kol Jakova, i cili, e mbylli jetën në azil me gjithë të luturat e fëmijëve, për ta marr me vete në mërgim. Me sa duket nderi i shkrimtarit ia kërkonte t`i mbetej besnik dramës “Toka jonë”, përputhshëm me moralin e kapitenit, që mbytet bashkë me vaporin. A rrezikonin poetët vendalinj të mbeteshin prapa botës kundrejt shanseve, që metropolet u ofronin kolegëve të tyre, pavarësisht së provincialin e gjen dhe në Nju Jork, do thoshte Xhon Abdajk? Emra të tillë, si: Skënder Rusi, Fatmir Musai, Esmeralda Shpata (Alda Taçe), Xhelal Tosku, Elmas Qerreti, Sherif Bali, pa i shkuar listës deri në fund, a i “hëngri provinca”, që me raste tregohet më e egër nga revolucioni që ha bijtë e tij? (Aty ku të tjerët vinin për dënim, ne na merrnin për të lumtur?! Më ka ndodhur të takoj në stacionin e trenit një shoqen time studente, e internuar pikërisht në vendlindjen e këngëtares Parashqevi Simaku, ylli i skenave të kryeqytetit, ndërsa vajza e gjeneralit një yll bukurie shuhej bashkë me yjet e të atit, Hero i Popullit.) Poetët vendalinjë nuk janë të padalë, të pabredhur, por, ndryshe nga Enea, që endej në kërkim të një “atdheu të ri”, ata rikthehen në Itakë, si Odiseja. (Ndoc Gjetja la kryeqytetin dhe u kthyen në vendlindje e tij, në Lezhë.)
Poezi të bukura kanë të gjithë, por asnjëherë s`janë të mjaftueshme për të marrë ofiqin poet, që, me aq kollajllëk: i jepet cilitdo që thur vargje, si dikur jepeshin distiktivët. “Ka ca gjëra që nuk ndryshojnë kurrë,/Në këtë jetën tonë të përditshme,/Ka ca njerëz, si për shembull unë,/Që hapin kudo veç rrugë të çuditshme!” Nuk është e lehtë të hapësh “rrugë të çuditshme” në një vend ku mburren se hapin “shtigje të reja”, ku largpamësit ngecin në udhëkryq duke kryqëzuar Krishtin. Formimi i një personaliteti letrar është më i ndërlikuar nga formimi i një karakteri njerëzor, për më tepër në një shoqëri të përmbysur, ku vidhen identitetet, ku moda bën dëme më shumë nga revolucionet. “Kam frikë/mos e humbas rrugën,/Që gjer tani/vetë e kam zgjedhur!/Se dalin lloj-lloj/udhëkryqesh,/Ku asnjëherë/unë nuk kam shkelur!” – shkruan ai, si një udhërrëfyes i vetes, ku mirazhet merren për imazhe. U bë e zakonshme të kapërcesh kufijtë, por kohën pak kush e kapërcen, sepse tek koha nuk pinë ujë: as miku, as media, as vuajtjet, as autoritetet, as medaljet. Por të gjitha ata, që e kapërcejnë kohën: më kot i kërkojnë tek e tashmja. “Jetoj në një qytet që e dua,/Brenda zemrës së tij kristal!/Dhe druhem, a do arrij dot,/Që famë, nga fama ime t’i fal?!/Jetoj në një qytet, ku nesër do të kem,/Patjetër emrin e një rruge!/Po të më pyesni kë do zgjedh,/do t’ju tregoja atë,/Që në vend të gurëve është e shtruar me puthje.” – shkruan poeti për Korçën, sikur të ketë para vetes një testament, që pret ta nënshkruaj. (Si rrallë kush i ka kushtuar qytetit të tij një përmbledhje poetike “Korçës një fjalë dashurie”.) Sa i kollajshëm, nëse do ta luftosh: “U bë ky nga Vishoshica e Devollit, t`i japë famë “Parisit të vogël” nga fama e tij? Nga qënkish kaq i sigurt, se paska bërë një emër kaq të madh, kur në media dhe forume letrare përmenden të tjerë?”

Mos u habisni, që pas këtyre vargjeve adhuruese ndaj qytetit me zemër kristali, të ndeshni vargje, ku zemërata t`i mpin shqisat: “Ç’trishtim, në këtë qytet të çmendur,/Që më ngjan me një spital të madh!/Njerëzve ju mungojnë veç bizhamat me vija,/Dhe numurat në shpinë apo në krah!/Ç’trishtim në këtë qytet që flet përçart,/Që as në gjumë nuk e heq paruken?!

Qytet tona pas `90-tës, sidomos në vitin e mbrapshtë të `97-ës, u kthyen në fantazma. Aty ku ligjin e bën vulgu, poetët ndjehen pa atdhe.

(E përfytyrova poetin mësues në Gurakuq të Librazhdit, ku i shkon për vizitë Sekretari i Parë i rrethit Librazhd. “Mësues Rusi, si të duket dhoma?

Është ca e vogël, por do më zërë. Kam vetëm një vërejtje, këto ristelkat e dritares të m’i bënit prej hekuri.”

E kupton që shakaja mund t`i kushtonte, nxiton ta rregullojë gjuhën: “Di që kjo zonë ka shumë egërsira.”, “Po ku e nxë ujkun kjo dritare?!” – i kthehet shefi i partisë.)

Ç’trishtim, të jetosh në një qytet-brengë,/Ku shumë gjëra ecin për mbrapsht!/Vajzat e bukura rrinë fshehur nga djemtë,/Të shëmtuarat shëtisin në bulevard(!)/Ç’trishim në këtë qytet që më deh,/Me erën e qelbur të vodkës!/Ku vetja herë-herë më duket,/Si Esenini rrugëve të Moskës!

Ka dhe ai mëkatet e veta, natyrisht, të falshme: “Pa dashje kam plagosur një grua!/(S’e dija që më desh aq marrëzisht!)/Ajo ishte një yll, nga qielli larguar,/E zbritur në tokë rastësisht!/Pa dashje, kam fyer një grua!/E putha në faqe në një natë pa drita!/Pastaj dhe në ballë një puthje të dytë,/Ia shtypa pak hundën me gisht, edhe ika!/Pa dashje, kam vrarë një grua!/(Eh,gratë u vrakërkan kaq shpejt!)/Ajo iku në qiell, prej nga ish larguar,/Të vuante zhgënjimin e vet!” Dhe si mëkatar gjen strehë ku të falet: “Një mëngjes shkova edhe unë në kishë,/Pavarësisht se s’kam qenë/apo s’jam i krishterë!/Pashë gjithë të tjerët të bëjnë kryqin,/Ashtu bëra edhe unë, si të tjerët!/Por ndodhi që i ngatërrova duart,/…Musliman i dreqit, i thashë vetes,/Një gjë kaq të thjeshtë/s’e fute dot në kokë!/…Kjo është njëlloj sikur atje në xhami,/Pa i hequr këpucët një i krishterë të futej!/Vështrova prapë Krishtin/dhe pashë se ai,/Për mua po lutej!” (Kishën e Ardenicës në Lushnje e ruante një musliman. Shoqëruesit e Kara Mahmut Pashës, që e shoqëronin në Dubrovnik, kur futen në një kishë: i heqin këpucët si muslimanë dhe bëjnë kryqin si të krishterë.) Pasi pranon mëkatin duke e rrëfyer para Krishtit, edhe pse musliman, si shpirtëror, i lejohet t`i drejtohet perëndisë në çdo faltore me fjalë të tillë, që do t`ia kishte zili çdo klerik: “Jam i paaftë t’u bëj keq të tjerëve,/T’i fut ata papritur nëpër kurthe!/Për këtë duhet të kesh diçka prej amebe,/Të jesh mik me butakë, me molusqe!/Jam i paaftë të hedh rrjeta fjalësh,/Që ngjajnë si të jenë prej merimange!/Jam i paaftë që shkëlqim të jap,/Siç japin flokët, kur ia prek, një vajze!/Jam i paaftë të spiunoj miqtë,/Edhe armiqve humbjen nuk ia dua!/Krishti i fali, jo veç një herë të ligjtë,/Paçka se ata prapë e kryqëzuan!”…

Dhe për të treguar se drejtëpeshimin botës ia japin të padjallëzuarit, poeti shkruan: “Ata po puthen, e po mirë,/le të puthen,/Le t’i shtojnë kësaj dite/marrëzinë e vet!/Veç e veç, ata janë mëkatarë,/Të dy bashkë/e krijojnë një shenjt!

Nuk është si në matematikë, ku dy minuse e japin një plus. E puthura thyen dhe tabu. “Unë jam poeti i dhimbjes së bukur, ky është përcaktimi im për dashurinë dhe në këtë sens bashkohem me mendimin e Markesit që thoshte: “Dashuria është ideologjia ime!”-shpjegon poeti veten, në një kohë, kur të gjithë shkruajnë për dashurinë duke urryer njëri-tjetrin. Sikurse ka dhe të tillë, që i japin sheqerka atij që është me diabet dhe kujtojnë se po i bëjnë nder. “Ardhka një moshë, e dashur,/Kur dashuria e paska një kulm,/Tani ti s’je më e re,/Por ja që u dashke më shumë!” – shkruan në poezinë “Eh, ardhka një moshë vërtet!”, duke e plotësuar me vargje thuajse lamtumire në poezinë “Kafja e hidhur”: “Vjedhurazi prej botës më kap dorën,/Kot, se veç një çast atë ma mban!/Këtë helm, nuk di përse e morëm/Dhe e hedhim vetë në filxhan!/Dhe filxhani yt po boshatiset,/Unë t’i shoh dhe buzët përmbi të!/Gjithnjë të pëlqen të arratisesh,/Por është hera e fundit që të lë!

Melhelmi i dashurisë bëhet edhe më i pranishëm në poezitë e fundit të tij, që për çudi trazohen nga një dalldi djaloshare. Ndaj dhe librin e fundit e titullon “Dalngadalë unë po bëhem ikje”.

“Jeta ime ka qenë e lidhur në mënyrë të ngushtë me dy nga veprimtaritë që fisnikërojnë kulturën e një vendi: poezia dhe biblioteka. Një pjesë e rëndësishme e poezive të mia janë shkruar brenda zyrës që kisha në bibliotekë.” – shkruan poeti Skënder Rusi, i mbyllur në zyrë dhe i izoluar në provincë, por shpirti i tij i lirë nuk bën dallim nga unë, që sillem si turist rreth Statujës së Lirisë këtu në Amerikë. Një punë të ngjashme ka bërë dhe poeti i famshëm argjentinas, Borghes, i cili: e përfytyronte parajsën, si një bibliotekë. Sot, më 31 maj 2024, ai u nis për tek kjo parajsë, ku padyshim në rafte do jenë dhe librat e tij.

_____

Shënim: Këtë ese, fillimisht, e kam postuar në faqen time më 18 korrik 2022.