Si sot, më 14 prill, 92 vjet më parë, u largua nga jeta me dëshirën e tij, Vladimir Majakovski. Poeti absolut i botës. I madhi, i jashtëzakonshmi, i përvetshmi, i papërsëritshmi… Ç’mund të thuash tjetër ose ç’mund të mos thuash për Poetin e së Ardhmes – ashtu siç e mendoi Ai. Dhe kur pa që kjo e Ardhme ishte thjesht utopi dhe s’mund të bëhej asgjë tjetër, u dorëzua nga jeta dhe iu fal përjetësisë.

Ekziston një letër përshëndetjeje e Tij, pak para vetëvrasjes, që e shpjegon atë. Unë, sa herë e lexoj, ndjej të më mblidhet një lëmsh në grykë. Mund të gabojë Poeti në idetë dhe bindjet e tij, por nuk mund të gabojë kurrë tek Sinqeriteti. Pa këtë të fundit, nuk mund të jetë poet.

(G.J.)

“Të gjithëve.

Mos akuzoni askënd për vdekjen time dhe lutem të mungojnë thashethemet. Të ndjerit i neveriteshin tmerrsisht.

Nënë, motra dhe shokë, më falni – kjo nuk është mënyrë (nuk ia këshilloj askujt) të lësh jetën, por unë nuk kisha eksod tjetër.

Lili, dashuromë!

Shoqja Qeveri, familja ime është Lili Brik, nëna, motrat dhe Veronika Vitoldavna Polonskaja. Le t’u sigurosh një jetë të durueshme, të falenderoj. Dorëshkrimet e vjershave ttë pabotuara jepuani Brikve, ata dinë ç’t’i bëjnë.

Siç thonë, “episodi mbaroi…”

Varka e dashurisë u shkatërrua mbi të përditshmen. I kam larë llogaritë e mia me jetën. Ç’vlerë mund të kenë numërimi i dhimbjeve reciproke, i dështimeve dhe fyerjeve?

Të jeni të lumtur!”

(Letra u gjet tek vendi i vetëvrasjes.)