Nga Aristotel Spiro

Pyetja e gabuar që mund të bëhej në lidhje me rishikimin e drejtshkrimit do të ishte: Çfarë do të ndryshojmë?

Kësaj pyetjeje duhet t’i përgjigjemi menjëherë: Asgjë!

Ose për të qenë më realistë: Thuajse asgjë!

Gjuha nuk është një organizëm që merr pjesë në revolucione. Ajo nuk i pranon ndryshimet e mëdha e të menjëhershme. Anëtarët e bashkësisë së gjerë folëse duan që të jenë të sigurt se kodi i komunikimit të përbashkët nuk ndryshon, në mënyrë që komunikimi midis tyre të jetë normal.

Drejtshkrimi i gjuhës shqipe mbështetet mbi parimin fonologjik (jo fonetik!), ashtu si drejtshkrimi i gjithë gjuhëve që përdorin shkrimin alfabetik. Por si drejtshkrim shumë i ri në moshë, ai ka privilegjin që të ketë një përkatësi thuajshe të dykahshme (biunivoke) midis fonemave dhe grafemave. Këtë përkatësi e kanë pasur edhe gjuhët e tjera me traditë të lashtë shkrimore. Ndërsa gjuha e tyre e folur ka ndryshuar, shkrimi ka mbetur në vija të përgjithshme po ai. Ndryshimet në shkrim dhe në drejtshkrim janë aq të vogla e të padukshme, saqë duket sikur gjuha pak ka ndryshuar. Nëse gjuha shqipe do të kishte një alfabet të përbashkët që në Mesjetë, pa dyshim që gjuha e Buzukut do të ishte shumë më e kuptueshme për shqiptarët e sotëm.

Gjuha ndryshon vazhdimisht për shkak të përdorimit. Por jo çdo ndryshim fonetik në gjuhë pasqyrohet menjëherë në sistemin shkrimor. Marrëdhëniet midis fonemave dhe grafemave organizohen në formë tjetër. Shkrimi duke luajtur një rol ruajtës (konservativ) për gjuhën, ndihmon gjithashtu të kuptohet më mirë rrugëtimi diakronik i sistemit gjuhësor, nëpërmjet atyre ndryshimeve dhe mospërputhjeve të vogla fonetiko-grafike, të cilat për këtë arsye bëhen argumente përbashkuese të disa brezave shqipfolësish.

Është e vërtetë se karakteri fonologjik i drejtshkrimit të shqipes do ta shoqërojë atë përgjithmonë e në jetë të jetëve. Parimi fonologjik i drejtshkrimit të shqipes është dhe do të mbetet parimi kryesor. Por shumë ortograme ose pjesë të tyre, duke respektuar parimin fonologjik, do të marrin pak nga pak veçoritë e morfogrameve. Kështu, p.sh., veta III e foljeve të së ardhmes apo lidhores së tashme mund të dalë homofone (njësoj) me vetën I (gjë që sot kryhet vetëm në një regjistër ligjërimor bisedor), por prania e zanores [ë] në fund do të funksionojë aty si një tregues diferencimi formal. P.sh., ndoshta do të vijë një ditë që tek ai do të lexojë të përgjithësohet shqiptimi [ai do të lexoj], por kjo nuk do të thotë se duhet shkruar pa -ë. E njëjta gjë mund të thuhet për gjithë ato raste kur praktika e ligjërimit të përditshëm evidenton shqiptime pa ë-në e patheksuar. I ashtuquajturi “parim fonetik” nuk duhet të shërbejë këtu si shkas për të ndryshuar drejtshkrimin e fjalës. Përndryshe, bëhen propozime për të qeshur dhe për të qarë, si: të shkruhet i parm, i majm, i pastajm, flliq, kllas, kllëç, kllëf, kllirë, pllet, pllëmbë, brruc, brryl, krrabë etj. në vend të i parmë, i majmë, i pastajmë, fëlliq, këllas, këllëç, këllëf, këllirë, pëllet, pëllëmbë, bërruc, bërryl, kërrabë etj.

Shkrimi i fjalëve nuk duhet të kënaqë thjesht logjikën sistemore dhe etimologjike të gjuhëtarit, por të jetë në radhë të parë një mjet i qëndrueshëm në komunikimin e bashkësisë folëse.

Nuk mund t’i hyhet ndryshimit të drejtshkrimit vetëm e vetëm duke u nisur nga aksioma aprioristike se drejtshkrimi i çdo gjuhe ndryshon herë pas here.

Ndryshimet në drejtshkrim nuk mund të bëhen as duke u inkuadruar në ligjërimin publik të rishikimit të standardit dhe as në përpjekje gjoja “ripajtuese” me dialektin gegë. Futja e disa fjalëve me morfologji gege, nëse bëhet për të kënaqur një pjesë të pakënaqurish me standardin shqip, konsiderohet përpjekje foshnjore dhe, si e tillë, duhet hedhur poshtë me vendosmëri.

Rishikimi i drejtshkrimit nuk do të thotë hartim rregullash drejtshkrimore nga e para. Nuk na duhet një drejtshkrim tjetër, nuk na duhen rregulla të reja. Është shumë e ekzagjeruar dhe infantiliste dëshira e disave për të ofruar ndryshime në çdo rregull drejtshkrimor ekzistues. Një element që funksionon shumë nuk është nevoja që të ndryshohet. Madje nuk na duhet as pakësimi as zhdukja e përjashtimeve. Është e vërtetë se «Rregullat e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe» kanë mjaft përjashtime nga formulimet e përgjithshme. Nuk është e drejtë që për këtë arsye të kërkohet fshirja apo heqja e rasteve të përjashtimit. Nëse do të ishte e mundur kjo, do të bëhej para 50 vjetësh nga Kongresi. Arsyet që ato raste përjashtuese u vendos që të shkruhen kështu lidhen me rrënjosjen në ndërgjegjen e përdoruesve të një tradite shqiptimore dhe logografike përkatëse. Koha që ka kaluar jo vetëm që nuk e ka dobësuar, por e ka forcuar më tej këtë traditë.

Të kërkosh fshirjen e përjashtimeve nga rregulli i përgjithshëm i drejtshkrimit është sikur të kërkosh fshirjen e foljeve të parregullta nga lista e zgjedhimit të foljeve.

Nuk është aspak e nevojshme që gjuhëtari të rrijë e të shqyrtojë me radhë fjalët e fjalorit dhe të përzgjedhë së andejmi një listë fjalësh për t’u ndryshuar. Një gjuhëtar i vërtetë është i matur kur bën propozime ndryshimi për drejtshkrimin. Motivimi teorik i një forme të propozuar nuk mund të shfajësojë asnjë propozim ndryshimi. Kritere të sigurta janë pajtueshmëria me «Rregullat e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe» dhe shtrirja e përdorimit të fjalës ose formës.

Ndryshimet që mund të propozohen në drejtshkrimin e disa fjalëve nuk duhet në asnjë mënyrë të lidhen me mungesën e përpjekjeve për të nxënë drejtshkrimin. Në këtë mënyrë do t’u bëhej padrejtësi atyre njerëzve të kulturuar që shkruajnë e lexojnë duke respektuar «Rregullat e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe». Nëse ajo pjesë e madhe njerëzish kanë harxhuar energji për t’i mësuar rregullat e drejtshkrimit, është e padrejtë t’u thuhet që ta harrojnë shprehitë e të shkruarit saktë të shqipes për t’u familjarizuar me forma të reja të futura me kritere të dyshimta.

Një kongres përkujtimor për 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit mund dhe duhet të mblidhet.

Por nëse dikush dëshiron të ndryshojë drejtshkrimin, këtë duhet ta bëjë duke i marrë lejen autoritetit më të madh të gjuhës shqipe: folësve të saj.

Për këtë duhet të ndërmjetësojë një periudhë e mjaftueshme kohore këshillimi të çiltër mbarëkombëtar, të përgatitet një pyetësor me çështjet kryesore që duhen diskutuar dhe të tërhiqen mendimet dhe opinionet e gjithë përdoruesve të kualifikuar të gjuhës. Të ndërtohet një platformë shkencore diskutimi duke shfrytëzuar mundësitë e teknologjisë së sotme të komunikimit. Përfundimet e diskutimit mbarëkombëtar, të ndërthurura me studimet e institucioneve përkatëse kërkimore-shkencore mund të çojnë drejt një Kongresi të Reformës Drejtshkrimore.

Përndryshe, mendimet e hedhura nga shtabet e politikës, me gjuhën e pushtetit dhe nga «pushtetarët e gjuhës» nuk çojnë asgjëkundi, përveçse hapin rrugën e një «grushti shteti» ndaj standardit.

© Burimi prej blogut “Veritas et Virtus”