Nga Ilaria Capua* – Corriere della Sera

Duket e pakuptueshme, por viruset parapandemike nuk do të krijonin as pandemi, as epidemi, sikur t’i linim ato në ekosistemet dhe ekuilibrat e tyre natyrorë. Shkurtimisht, mund të përmbledh se viruset parapandemike kanë potencialin e tyre pandemik, i cili është i lidhur ngushtë me mënyrën e transmetimit dhe ngjitjen e tyre. Le ta quajmë atë “faktor virus”.

“Faktori virus” nuk është elementi i vetëm i shpërthimit pandemik, por është përbërësi unik dhe i pazëvendësueshëm i tij. Jam e sigurt se vazhdimisht, në vitet e fundit janë krijuar kushte të ngjashme për shfaqjen e një koronavirus pandemik, por që gjithmonë, deri në vitin 2020, shumë prej tyre janë zhdukur, ndërsa të tjera si Sars, Mers, gripi i derrit, Ebola dhe Zika kanë qenë pak a shumë nën kontroll brenda disa muajsh.

Por pse nuk ndodhi kështu me Covid-19? Sepse shpesh janë pikërisht qeniet njerëzore ato që krijojnë kushtet në mënyrë që këto emergjenca shëndetësore të mund të kontrollohen ose të shpërthejnë dhe më pas të kenë përhapje me ndikim të madh. Gjithnjë e më shumë. Pandemia e vitit 2020 na informon se evolucioni i saj varet veçanërisht nga sjellja e individëve dhe nga sistemet në të cilat veprojnë individët. Nuk ka dyshim se përhapja e përshpejtuar në të gjithë globin ndodhi falë lëvizjes së njerëzve të infektuar si në nivel ndërkombëtar, kombëtar dhe lokal deri në pjesën e komunës. Le ta quajmë këtë “faktor individual” dhe kjo përfshin, përveç karakteristikave të vetë individit dhe pranueshmërinë e tij personale ndaj infeksionit, për shembull lëvizshmërinë e tij.

Deri në pandeminë e vitit 2020 këta dy faktorë ishin përcaktuesit kryesorë të përhapjes së një virusi pandemik dhe besoj se askush prej nesh nuk do ta kishte imagjinuar edhe vetëm disa vjet më parë që përcaktuesit kryesorë të trendit të pandemisë do të ishin entitetet virtuale si informacioni dhe mediat sociale.

Asnjëherë, në njëqind vitet e fundit (gjatë të cilave ka pasur pesë pandemi gripi) informacioni nuk ka qenë kaq i përhapur dhe i përzier me tema të komplikuara edhe për personat e brendshëm. Ky është fenomeni biologjik dhe shoqëror më i matur në histori. Në këtë kohë teknologjia na dha një vaksinë në kohë rekord.

E njëjta teknologji po identifikon qindra mijëra sekuenca gjenetike virale (secili virus ka sekuencën e vet) që askush, deri më sot, nuk kishte guxuar kurrë t’i dekodonte, analizonte, e lëre më t’i interpretonte. Përpjekja është planetare. Ata që kanë çelësat për të dalë nga kjo situatë çorientohen, domethënë njerëz që nuk janë gjë tjetër veçse “faktori individual”. Por kjo nuk mjafton, për fat të keq. Përveç informacionit të duhur ose të gabuar, por akoma publik dhe për këtë arsye i gjurmueshëm dhe i verifikueshëm ekziston madhësia e mediave sociale. Dhe sigurisht ju do të thoni, ne e dinim këtë. Këtu thjesht doja të sigurohesha që ishte e qartë se është pikërisht përmes delirit të mesazheve që lëvizin në kontekosferën sociale dhe përmes amplifikimit të informacionit të paqartë të emetuar nga media, madje edhe shumë të akredituar që përcakton se çfarë ndodh me “faktorin virus”.

Shkurtimisht, ka të ngjarë që përcaktuesit kryesorë të pandemisë 2020 do të jenë ata virtualë dhe paradoksalisht ata do të ndikojnë në evolucionin pandemik shumë më tepër sesa faktori virus dhe faktori individual bashkë. Një pandemi e vërtetë që është në zhvillim e drejtuar kryesisht nga forca që nuk ekzistojnë në botën biologjike. Ato virtuale.

*Virologe