Në verën e 2015-ës Paulo Dybala u transferua me bujë të madhe te Juventusi, pasi shikohej nga të gjithë si një Lionel Messi i ri, por pas thuajse 6 sezonesh me fanellën bardhezi, argjentinasi nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë mbi të.

Alternimi i paraqitjeve të mira me të tjera nën nivel, dëmtimet e shpeshta, por edhe mungesa e rinovimit, kanë bërë që drejtuesit e Juventusit të marrin në konsideratë shitjen e Paulo Dybalës gjatë merkatos së verës.

Kontrata e Dybalës me Juventusin skadon në verën e 2022-shit dhe pavarësisht negociatave të shumta, deri tani nuk ka marrëveshje për zgjatjen e saj, kjo pasi argjentinasi pretendon një pagë prej 15 milionë eurosh në sezon, shumë më tepër se 10 milionë euro që ofrojnë bardhezinjtë.

Për 27-vjeçarin argjentinas kanë shfaqur interes klube si Paris Saint Germain dhe Barcelona, të cilat e shohin si alternativë të Lionel Messit, francezët nëse nuk arrijnë të marrin argjentinasin dhe katalanët nëse nuk e mbajnë 6 herë fituesin e Topit të Artë në ekip.

Në të dy rastet Paratici u ka bërë të qartë homologëve të tij, se bardhezinjtë janë gati të heqin dorë nga kartoni i Dybalës vetëm në këmbim të futbollistëve, konkretisht të Icardit te PSG-ja dhe të Griezmann te Barcelona.

Në këtë mënyrë bardhezinjtë do të mund të sistemojnë një futbollist në vitin e fundit të kontratës dhe që nuk ka përmbushur pritshmëritë, dhe njëkohësisht do ta zëvendësonte me një tjetër emër me peshë, që do të mund të zgjonte entuziazmin e tifozëve të Juventusit.