Juventus duhet të hedhë menjëherë pas krahëve humbjen minimale 1-0 në “Diego Armando Maradona” ndaj Napolit, pasi të mërkurën do të udhëtojë drejt Portugalisë, për t’u përballur me Porton në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve.

Në 2017-ën bardhezinjtë u përballën pikërisht me Porton në fazën e 1/8-ave dhe më pas historia dihet, shkuan deri në finale, ku u mposhtën nga Reali i Madridit, në finalen e Kardifit, në një ndeshje ku protagonist ishte ai që sot mban veshur fanellën e Juves, Cristiano Ronaldo.

Megjithatë që atëherë gjërat kanë ndryshuar dhe bardhezinjtë nën drejtimin e Pirlos nuk po tregojnë të njëjtën vazhdimësi si 4 vite më parë, ndërsa protagonisti i takimit të 2017-ës, Paulo Dybala nuk është rikuperuar ende plotësisht.

Përveç argjentinasit, Pirlo do të duhet të përgatisë ndeshjen ndaj Portos edhe pa anësorin kolumbian Juan Cuadrado dhe pa mesfushorin brazilian Arthur, të cilët të dy janë të dëmtuar dhe nuk do të jenë as në pankinë.

Megjithatë lajmi i mirë për trajnerin e Juventusit është rikuperimi i plotë i Leonardo Bonuccit, i cili do të jetë në fushë që nga minuta e parë në krah të kapitenit Giorgio Chiellini dhe të dy do të provojnë të mbajnë kundërshtarët larg portës së Szczesnyt.

Sa i përket pjesës tjetër të formacionit, në krahët e mbrojtjes do të luajnë brazilianët Danilo e Alex Sandro, ndërsa në mesfushë do të aktivizohen Rabiot e Bentancour në qendër, me Chiesën e McKennie në krah dhe në sulm dyshja e kolauduar tashmë, Ronaldo-Morata.