Tani është zyrtare, Andrea Pirlo do të jetë trajneri i Juventusit deri në vitin 2022. Ai do të zërë vendin e Mauricio Sarrit, i shkarkuar pas eliminimit nga Liga e Kampionëve. Ish-mesfushori i njohur italian, 41 vjeç, sapo kishte marrë drejtimin e Juventusit U-23 në Serinë C, por kjo etapë zgjati shumë pak, vetëm 10 ditë.

Presidenti Andrea Anjeli, ditën e prezantimit të Pirlos te Juventusi U-23, tha: “Rrugëtimi i skuadrës së dytë drejt së parës duhet të vlejë për lojtarët dhe trajnerin. Duhet ta meritojnë dhe kjo është vetëm etapa e parë”. Dhe ishte po vetë Anjeli, i cili vendosi të thërrasë Pirlon te skuadra e parë sot pasdite. Në vendin e tij tek ekipi U-23 do të shkojë njëri mes Fabio Grosos dhe Marko Baronit, me të parin favorit.

Do të jetë përvoja e parë në Serinë A për Pirlon trajner. Pas 3 sezonesh në Nju Jork, ai la futbollin në vitin 2017 dhe në 2018-ën mori licencën e trajnerit. Ka një karrierë unike në futboll, me shumë trofe, dy herë kampion Europe dhe kampion bote në vitin 2006 me Italinë. Më shumë se 700 ndeshje në karrierë me fanellat e Interit, Breshias, Rexhinës, Milanit, Juventusit dhe Nju Jork FC. Tani ulet në stolin e një klubi të madh si Juventusi, ku ka firmosur një kontratë dyvjeçare.