Edi Rama do të duhet të caktojë emrat që do të qeverisin së bashku me të në katër vitet e ardhshme. Ministrat e katërvjeçarit që po mbyllet shpresojnë në një ribesim të dytë nga ana e Edi Ramës, ku disa prej tyre e kanë gjetur tashmë mbështetjen nga kryeministri. Mes emrave më të përfolur drejtuesit e disa Ministrive, si ajo e Shëndetësisë, Infrastrukturës, Arsimit apo Punëve të Jashtme. Dilemë që duket se ka gjetur zgjidhje është edhe pasuesi i Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit.

Socialistët po shijojnë ditët e fundit të pushimeve për t’u rikthyer në krye të betejave politike të muajt shtator. Ditët e nxehta po ikin një nga një dhe ethet e gushtit po shtrihen brenda kabinetit qeveritar, pasi pyetja nëse do të vijojnë detyrën përtej shtatorit po i mundon.

Pavarësisht hapjes së partisë, disa nga emrat e kabinetit qeveritar “Rama 2”, priten të jenë pjesë edhe të atij të tretë dhe më të privilegjuarat duket se janë zonjat ministre.

Rikonfirmimi pritet të nisë nga Ministria e Infrastrukturës, dikaster në të cilin Rama pritet t’ia lërë sërish Belinda Ballukut. Punët e bëra nga kjo ministri duket se kanë kënaqur kryeministrin, marrë në konsideratë edhe numrin e lartë të votave që Balluku arriti të mblidhte në 25 prill.

Ministrja tjetër që pret të vijojë mandatin është Evis Kushi në krye të dikasterit të Arsimit. Fakt të cilin e konfirmoi edhe njoftimi i para pak ditëve i Ministres për nisjen e vitit të ri shkollor, ku buzëqeshja e saj për vitin e ri akademik duket se tregonte edhe konfirmimin e saj në krye të Ministrisë.

I padiskutueshëm pritet të jetë edhe emri i Ogerta Manastirliut. Sipas kryeministrit, menaxhimi i pandemisë ka qenë sukses, ku një pjesë të madhe të këtij suksesi ia ka atribuar vetë Manastirliut të cilën e promovon në çdo dalje publike në faqen më të shtrenjtë të Edi Ramës, facebookun e tij.

Një tjetër ministre, pozitat e së cilës u forcuan akoma më shumë ditët e fundit, është ajo për Punët e Jashtme. Kriza afgane dhe koordinimi i punës me ambasadën amerikane duket se forcoi shanset e Xhaçkës për të vijuar në krye të diplomacisë shqiptare edhe përtej shtatorit, ndonëse në zgjedhjet e 25 prillit ishte deputetja e dytë më pak e votuar e pjesës fituese.

Dyshime për rikonfirmimin e Bled Çuçit në krye të Punëve të Brendshme, nuk duket të ketë.

Në shtator Edi Rama do duhet të mendojë jo vetëm për emrat në kabinetin qeveritar, por edhe për pasuesin e Gramoz Ruçit. Brenda strukturave të partisë këtë çështja e kishte zgjidhur me kohë, pasi Taulant Balla prej katër vitesh ushtron detyrat e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar. I njëjti emër është edhe një nga kandidatët më të fortë për të drejtuar Kuvendin e Shqipërisë për katër vitet të vijnë.

Ajo që është e sigurt është se Edi Rama do të surprizojë edhe me emrat e rinj. Prej kohësh Frida Krifca përflitet si një nga njerëzit që ka fituar besimin e Kryeministrit, duke bërë që emri i drejtueses së AZHBR-së së fundmi të lakohet si ministre e ardhshme e Bujqësisë.

Burimi: A2 CNN