Zëvendëspresidentja e zgjedhur Kamala Harris mori sot dozën e parë të vaksinës Moderna kundër COVID-19, pasi sfidoi presidentin Donald Trump gjatë fushatës presidenciale në punën e administratës së tij për vaksinimet.

“Në rregull, le ta bëjmë”, tha ajo, ndërsa infermierja Patricia Cummings e Qendrës së Bashkuar Mjekësore nxori gjilpërën. “Kjo ishte e lehtë. Faleminderit. Mezi e ndjeva”, shtoi ajo.

Harris shkoi në një qendër mjekësore në Juglindje të Uashington, DC, shtëpia e shumë komuniteteve pakicë.

Ajo bëri dozën e parë të vaksinës 8 ditë pasi presidenti i zgjedhur Joe Biden mori vaksinën Pfizer në Delaware më 21 dhjetor.

Ekspertët shëndetësorë u kishin thënë atyre që të bënin vaksinat një javë larg njëri-tjetrit, në rast se ndonjë nga udhëheqësit e ardhshëm do të kishte efekte anësore.

Ndërkohë presidenti Donald Trump, i cili kaloi COVID-19 në tetor, ende nuk e ka marrë vaksinën.

Vaksinave Pfizer dhe Moderna iu dha dritë jeshile për t’u përdorur nga qeveria amerikane pas zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.