Në Komisionin e Sigurisë është duke u shqyrtuar sot projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, për ripranimin e personave”.

Për këtë marrëveshje është bërë debat i madh pasi në mediat britanike është shkruar këto kohë se Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria do të bëjnë një marrëveshje që në vendin tonë të ngrihet një kamp refugjatësh për të gjithë ata që janë të paligjshëm atje.

Lidhur me këtë lajm është bërë debat i ashpër edhe në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, pasi deputetët e opozitës kanë kërkuar sqarim nëse bëhet fjalë për të njëjtën marrëveshje.

Zv. ministri i Brendshëm, Andi Mahila, u shpreh se kjo marrëveshje është mbështetur në të njëjtën marrëveshje komunitare që Republika e Shqipërisë ka nënshkruar me Bashkimin Evropian. Pra, të tillë marrëveshje ka me të gjithë vendet e BE-së. Sa i përket me Mbretërinë e Bashkuar kjo nuk është një marrëveshje e re, është rinovim i asaj të bërë në vitin 2003. Sipas tij edhe kjo marrëveshje ka një procedurë verifikimi dhe në bazë të kësaj kryhen edhe eskortimet.

Deputetët e opozitës, Ferdinand Xhaferraj dhe Enkelejd Alibeaj, u shpreh se opozita është dhe do të jetë pro çdo marrëveshje ndërkombëtare por kërkuan sqarim.

Xhaferraj: Kjo marrëveshje ka prodhuar një debat në mediat britanike që po negociohet për të ngritur një kamp refugjatësh. Problematika e kësaj marrëveshje është për faktin që Shqipëria do të presë njerëz nga vende të treta.

Zv. ministri: Kjo marrëveshje nuk ka fare lidhje me atë që shkruhet në mediat britanike. Është identike me atë që kemi me vendet e tjera të BE-së. Nuk ka asnjë lloj mundësie që Shqipëria të kthehet në një vend grumbullimi të një numri masiv emigrantësh. E para një herë kjo marrëveshje ka në thelb shtetasit shqiptarë, vetëm një pjesë është për shtetasit e vendeve të treta. Që ne të pranojmë një shtetas të vendeve të treta duhet që ky shtetas ose është nisur nga Shqipëria, ose ka pasur një leje qëndrimi nga Shqipëria. Pra ky shtetas ka pasur lidhje dhe ka vajtur në Mbretërinë e Bashkua nga Shqipëria. Atëherë merret në shqyrtim nga Shqipëria. Pra, nuk bëhet fjalë për të marrë pa kaluar në procedurën e verifikimit. Dhe vetëm atëherë mundet të kthehet në Shqipëria. Ndërsa pjesa e tranzitit mund të ndodhë që shtetasit që janë atje duan të kthehen në vendet e tyre, Shqipëria merr përsipër vetëm për të krijuar lehtësitë për tranzitin. Çdo gjë tjetër është në dorë të vendit iniciues. Dhe në rastin konkret nuk bëhet asgjë nëse vendi i origjinës nga është nisur nuk ka deklaruar se e pranon.

Xhaferraj: A krijohet mundësia që në këtë vend të vijnë shtetas të vendeve të treta apo ato pa shtetësi?

Zv. ministri: Jo nuk ka

Alibeaj: Mediat britanike kanë shkruar se ministrja atje ka deklaruar se do të ketë një marrëveshje me Shqipërinë për të grumbulluar këto emigrantë të paligjshëm, jo vetëm shqiptarë por edhe të palëve të treta. A bëhet fjalë për të njëjtën marrëveshje që ministrja e Brendshme ka folur, kjo marrëveshje që ne po diskutojmë sot?

Zv. ministri: Për këtë pyetjen tuaj është dhënë sqarim shterues nga kryeministri, ministrja e Jashtme, ambasadorja. Nuk ka asnjë marrëveshje për këtë. Kjo marrëveshje nuk ka fare lidhje me atë lajm që ka dalë në mediat angleze.

Alibeaj: Kush e ka iniciuar lidhjen e kësaj marrëveshje, britanikët apo ne? Këtu bëhet fjalë për shtetas që s’kanë të bëjnë fare me shtetasit as të vendeve tona fqinje. Kjo marrëveshje i dedikohet më së shumti shtetasve jo shqiptarë. Ka një tekst të plotë edhe mbi çështjen e tranzitimit. Po them unë diçka të pavërtetë? A mos ndoshta është duke u bërë ndonjë biznes në territorin shqiptar për të depozituar refugjatë të deportuar nga Mbretëria e Bashkuar me qëllim për të përfituar të gjitha fondet e dhëna nga Mbretëria e Bashkuar? Bëhet fjalë për 100 mijë paund për emigrant.

Zv. Ministri: Bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar, sidomos në çështjet e punëve të brendshme është shumë e mirë. Edhe kjo marrëveshje është në këtë drejtim. Në këtë periudhë kemi edhe elementin që Britania e Madhe ka dalë nga Bashkimi Europian. Të rejat e kësaj marrëveshje janë disa. E para është protokolli i zbatimit, gjithçka është e përcaktuar mirë se kush, si dhe kur do të bëhet gjithçka. Nëse janë apo s’janë në marrëveshje ato që ju thatë, nëse keni përpara faktin këtu nuk vlen fare fjala ‘gënjeshtër’. Është detyrim i Republikës së Shqipërisë që të jetë pjesë dhe të parashikojë në mënyrë ligjore procedurat që kryhen me shtetasit e saj por edhe për shtetasit e palëve të treta.