Kampionati Europian i Futbollit vijon të rrethohet nga pasiguritë. E ndërsa të gjithë janë të sigurt se turneu do të luhet në vitin 2021, e paqartë është formula, por dhe vendi se ku do të zhvillohet.

Paraprakisht, evenimenti i përcaktuar në vitin 2020, por i shtyrë prej koronavirusit, ishte planifikuar të zhvillohej në 12 shtete të ndryshme në kontinent. Por, me pandeminë që vijon të mbajë në alarm të gjithë globin, UEFA po shqyrton seriozisht hipotezën që Kampionati Europian të zhvillohet vetëm në një shtet, për të evituar infektimet e lojtarëve apo problemet që lidhen me spostimin nga njëri shtet në tjetrin, për shkak të masave shtrënguese.

Lajmi është konfirmuar nga Presidenti i Bayern Munchen, Karl-Heinz Rummenigge. Sipas tij, Konfederata Europiane mund të heqë dorë nga turneu i parë i organizuar në më tepër se dy shtete, me vendimin zyrtar që pritet të merret brenda datës 5 mars.

Gjermani tregon se ideja e organizimit të këtij kompeticioni në një mënyrë të tillë lindi para se koronavirusi të ekzistonte dhe zbulon se presidenti i UEFA-s Ceferin po mendon edhe skenarin e zhvillimit të finaleve të Europianit në një shtet.

“Duhet të kemi parasysh që ideja e një edicioni special të Kampionatit Europian erdhi kur koronavirusi ende nuk ekzistonte”, tha Rummenigge.

“Me pandeminë që vazhdon, Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, po studion mundësinë që turneu të zhvillohet vetëm në një shtet dhe me një protokoll sanitar shumë rigoroz”, shtoi Rummenigge.

Sipas të përditshmes franceze “L’Equipe”, vendimi përfundimtar do të merret në harkun e afro një muaji, edhe sepse koha shtrëngon. Europiani i shtyrë për në vitin 2021 është programuar të nisë më 11 qershor dhe të përfundojë më 11 korrik.