Është e vërtetë: Kampionati Evropian i Peshëngritjes do të zhvillohet në 2 maj 2022 në Tiranë. Presidenti i Federatës Evropiane të Peshëngritjes iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Presidentit të KOKSH Fidel Ylli e të Presidentit të FSHP Elez Gjozaj.

Lajmin për këtë ngjarje të jashtëzakonshme e konfirmuan sot Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) Fidel Ylli dhe kreu i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes (FSHP) Elez Gjoza. Në një konference të mbajtur në ambientet e KOKSH ata kofirmuan zyrtarisht se Kampionati Evropian i Peshëngritjes që ishte planifikuar të zhvillohej në Bullgari, u vendos përfundimisht që do të  zhvillohet në Shqipëri.

Peshëngritësit tanë, kampionët Briken Çalja, Erkand Qerimaj apo Evangjeli Velo, Kleopatra Saliaj e Enkeleda Carja nga vajzat, do kenë shumë mundësi të marrin medalje.

Me interes priten edhe prurjet e Klubit të Peshëngritjes së Kamzës që drejtohet nga Presidenti i saj i pasionuar Dashamir Çajka që për të stërvitur djemtë e tij të talentuar prej disa kohësh ka përzgjedhur si trajner të mirënjohurin, ish kampionin Ilir Suli.

Pritshmëri për medalje dhe rezultate të mira japin edhe më të rinjtë si Kristi Rama, Samuel Beshanaku i Tiranës, Sajmir Lagja i Vllaznisë, Ertian Kofsha i Shtërmenit apo Mateos Caci e Franko Ferra të Elbasanit. Këta e gjithë të rinjtë që do të grumbullohen me Ekipin Kombëtar do të stërviten nën drejtimin e trajnerëve Ilir Çela (Mjeshtër i Madh) e Leonard Toska (Mjeshtër i Madh). Ndërsa të rriturit do të përgatiten për këtë kampionat nga trajnerët Artur Lagja e Kreshnik Leka.

Ekipit Kombëtar që do të fillojë stërvitjen në Durrës më 15 shkurt, s’na mbetet tjetër, veçse t’i urojmë suksese në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes që fillon më 2 maj 2022.